Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Gazetari Ardi Pulaj:- “Të nderuar shikues, sonte në studion e lajmeve të TV Klan, në rubrikën “Pikat mbi i”, kemi të ftuar deputetin e PAD dhe njëkohësisht publicistin e njohur Preç Zogaj. Mirëmbrëma dhe faleminderit që pranuat ftesën për të qenë sot me ne! Fillimisht, pavarësisht nga kontradiktat, opozita duket se po nis të bashkohet, kështu edhe Partia Demokrate e Reformuar i është bashkuar thirrjes të PD dhe partive të tjera të djathta në mbështetje të komisionit hetimor parlamentar ndaj aktivitetit të kryebashkiakut Edi Rama. Si e gjykoni ju këtë hap?

Preç Zogaj:- “Ky është një bashkim rreth Kushtetutës, njëkohësisht edhe rreth ligjit organik për ngritjen e komisioneve hetimore. Gjatë gjithë këtyre ditëve publiku ka ndjekur një debat, që nga një anë duket edhe pak akademik përsa i përket të drejtave që ka opozita në Kushtetutë, për të ngritur komisione hetimore, por Kushtetuta dhe ligji janë shprehur shumë qartë, kjo është një e drejtë e opozitës, një e drejtë e pakicës. Socialistët kanë vazhduar ta trajtojnë, si një kërkesë apo si një lutje, në fakt nuk bëhet kërkesë dhe lutje për ato të drejta që të jep Kushtetuta. Neni 8, pika 3, e ligjit organik, krijon mundësi që mazhoranca të marrë pjesë në debat, për të rregulluar objektin e hetimit, por jo për të kundërshtuar hetimin në vetvete, jo për të hedhur poshtë nismën në vetvete, por në momentin kur PS ka vendosur të refuzojë nismën e opozitës, atëherë këtu del në plan të parë çështja e mbrojtjes së Kushtetutës. Ajo është një çështje jetike, është ekzistenciale për opozitën, jo vetëm se mbron një të drejtë të vetën për ngritjen e komisioneve hetimore, por mbron ligjin themelor të shtetit. Prandaj dhe PDR, me këtë vizion, mendoj unë, ka marrë vendimin për t’u bashkuar me tërë opozitën, në mbrojtje të Kushtetutës”.

Gazetari Ardi Pulaj:- “Sot në shtypin e ditës, opozita gjithashtu ka publikuar një dosje të gjerë, ku flitet se kryedoganieri shqiptar Papadhima, ka qenë i dënuar për kontrabandë cigaresh. Cili do të jetë qëndrimi i opozitës për këtë çështje, duke ditur që kryeministri Nano dhe Ministri i Financave i kanë hedhur poshtë akuzat ndaj Papadhimës?

Preç Zogaj:- “Akuzat janë të vërtetuara dhe sot u vërtetuan. Në Shqipëri është zakon që duhet t’i nxjerrësh të gjitha letrat për të pranuar si të thuash, një vendim të gabuar. Që në momentin e parë, opozita ka shpallur qëndrimin e vetë për emërimin e kryedoganierit Papadhima dhe për emërimet e pamotivuara në përgjithësi, të cilat janë bërë një nga shkaqet themelore të qëndrimit shumë kritik të bashkësisë ndërkombëtare për qeverinë Nano. Unë dua të kujtojë, se loja e rrezikshme me doganat në Shqipëri, ka nisur që në Prill të viti të kaluar, ku në mënyrë krejtësisht të pa motivuar u ndryshua gjithë stafi i doganave, megjithëse doganat ishin nga sektorët e rrallë të stabilizuar në këtë vend. Erdhi Kastriot Islami dhe Fatos Nano dhe vunë dorë mbi një sektor të stabilizuar, filluan gjoja reformimin në emër të impulseve të reja, filluan ndryshimet në dogana, të cilat rezultuan në fund të viti me një deficit shumë të madh. Unë jam një nga deputetët e opozitës, që e kam ngritur në vazhdimësi, çështjen e lojës së rrezikshme me doganat”.

Gazetari Ardi Pulaj:- “Zoti Zogaj, përveçse politikan, ju jeni edhe një publicist i njohur, i pozicionuar gjithnjë në mbrojtje të fjalës së lirë, besoj se jeni në dijeni të sulmit që ka nisur kryeministri Nano ndaj grupit mediatik Klan. Cili është opinioni juaj?

Preç Zogaj:- “Opinioni im është që sulmet ndaj medias, ndaj shtypit në përgjithësi, janë shprehje e krizës, së një pushteti, krizës së një qeverie dhe kjo është kriza e arrogancës dhe mendjemadhësisë. Kjo është një aksiomë, që është vërtetuar kurdoherë. Natyrisht që sulmet e qeverisë kundër mediave janë sulme gjithmonë pa afat, pavarësisht se i krijojnë shumë probleme, e shqetësime një media të caktuar, por në analizë të fundit janë të destinuara të humbin. Qeveria humbet gjithmonë përpara mediave, por duke e parë si një fenomen shumë më të gjerë, kur sulmohen mediat, ne kuptojmë se ka një krizë të thellë brenda për brenda pushtetit dhe kjo është kriza e arrogancës. Në këtë sens unë jo vetëm distancohem, por denoncojë sulmet me prapa vijë politike, kundër mediave. Këtu ka dhe një problem tjetër që është edhe më i rëndë se sa sulmet që i bëhen aktualisht grupit mediatik Klan, i cili është një grup i fuqishëm. Këtu ka një problem më të rëndë, është një politikë e tërë, e cila synon ta mbajë median në përgjithësi në disa ujëra jo fort legale me qëllim që ta kontrollojë sa herë të dojë”./tvklan.al