Në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare, kryetari i Partisë Republikane Fatmir Mediu bëri thirrje për bashkimin e opozitës në një koalicion si një Federatë me programin, logon e saj si e vetmja rrugë për t’u përballur me keqqeverisjen e Edi Ramës.

“Opozita e bashkuar është rruga e vetme për të mposhtur të keqen e kësaj qeverie. Opozita s’mund të jetë vetëm në Tiranë, por në çdo skaj. Bashkimi i saj nuk mund të funksionojë vetëm si tryezë e kryetarëve të partive në Tiranë, por në çdo qark, bashki e komunë.”

Sipas Mediut përmes reformës zgjedhore duhet garantimi i koalicioneve zgjedhore, gara me lista të hapura, vota e diasporës, ndëshkimi i partive dhe deputetëve që manipulojnë zgjedhjet.

 “Blerja masive e zgjedhjeve, kërcënimi i votuesve, krijimi i një administrate zgjedhore kanë një qëllim të vetëm, kontrollin e jetës tuaj dhe të shoqërisë shqiptare. Duan të krijojnë bindjen se ka një Zot dhe ai është Edi Rama.”

Gjatë mbledhjes së Asamblesë Kombëtare, Mediu tha se Federata e Opozitës duhet të ndërtojë marrëdhëniet me SHBA, BE dhe NATO-n, duke bërë të qartë se, një nga problemet e mëdha është mungesa e demokracisë.

Klan News