Ndryshimet në qeveri janë një çështje e mbyllur për socialistët. Kjo deklaratë vjen nga numri dy i selisë rozë Gramoz Ruçi i cili ka hedhur poshtë kështu zërat se kabineti Nano do të pësojë ndryshime. Sipas tij, qeveria ka kaluar disa prova të rëndësishme, si në forumet e partisë, ashtu edhe në parlament.
Gramoz Ruçi: “Kjo çështje është e mbyllur për mazhorancën socialiste. Sa ka përfunduar në rrugë institucionale kongresin e saj të fundit. Sapo parlamenti shqiptar ka dhënë verdiktin duke i dhënë votëbesimin qeverisë shqiptare me të gjitha ndryshimet që ajo bëri. Sapo ka mbyllur një mocion mosbesimi të bëra nga opozita shqiptare. Kështu që në këtë këndvështrimin nuk ka asnjë vënd për diskutim, për riformulime, për ndryshime, për largime në kabinetin qeveritar.”
Gazetarja: Pra nuk do të ketë, nuk do të përfshihen në një kabinet të mundshëm të ri figura që kanë kontribut në partinë socialiste për të shkuar sa më solid në zgjedhjet e 2005?
Gramoz Ruçi: “Është, nuk ka përcaktime a prioriste kush janë figura tek partia socialiste, kontributet që kanë socialistët shqiptarë në legjislativ apo jashtë legjislativit, në organizmat partiake apo në organizmat legjislative apo ato ekzekutive, ka vetëm një matës, matësi ëshhtë rruga dhe vota demokratike që japën institucionet partiake dhe institucionet legjislative. Tashmë ky problem është i mbyllur.”
Ndërkohë zoti Ruçi i qëndron idesë që mazhoranca në zgjedhjet e 2005 duhet të jetë e bashkuar për të përballuar me sukses këtë garë mjaf të rëndësishme elektorale.
Gramoz Ruçi: “Unë kam qënë, jam dhe do të vazhdoj të mbetem që të gjithë defaktorët dhe faktorët politikë të partisë socialiste të jenë përsëri bashkë si gjithnjë dhe të gjitha betejat elektorale që ka përballuar dhe që do përballojë partia socialiste dhe pikësynimet tona janë të qarta, janë të sakta që ne mendojmë dhe pretendojmë që forca jonë politike do të fitojë dhe një mandat të tretë për qeverisjen e vëndit.”
Një nga sfidat e socialistëve për zgjedhjet e 2005 mbetet edhe ecuria e ngadaltë e reformave, por sipas zotit Ruçi edhe ritmi i tyre do të arrihet pasi, ashtu si parlamenti, edhe qeveria po punojnë për të dhënë rezultate sa më të mira në këtë drejtim. /tvklan.al