Lajme Arkiva 2003

Presidenti i Republikës nuk mendon të jap dorëheqjen, kështu shprehet një prej politikanëve më të njohur për ndërhyrjet në zgjidhjet e krizave në vend Sabri Godo pas takimit me presidentin Moisiu një ditë më parë. Sipas Godos deklarata e Moisiut pas tryezës së partive politike është interpretuar keq.

Sabri Godo:  Me sa dëgjova unë, nga presidenti dhe nga persona të tjerë ai ka thënë që meqë ky konflikt po trashet ai do të rikonsiderojë qëndrimin e tij në marrëdhëniet me partitë dhe me Komisionin Qendror. Kjo është interpretuar tani si një kërcënim për dorëheqje. Kjo nuk është kështu. Është vetëm një interpretim që i është bërë një organi sipas medias. Unë jam i bindur se presidenti nuk ka kurrsesi ndër mend të japë dorëheqjen ose të tërhiqet, është fare jashtë vendit dhe jashtë bisedës.

Zoti Godo shpjegon se presidenti nuk është garant për zgjedhjet pasi ato duhet të administrohen nga shteti. Ai shprehet gjithashtu se e vetmja zgjidhje për krizën aktuale është që zonja Subashi të japë dorëheqjen me vullnetin e saj.

 Sabri Godo:  Në rast se kjo zonja që është emëruar tani atje ose ndonjë tjetër anëtar që i përket grupimit socialist do të jepte dorëheqjen dhe do të bëhej një zgjedhje ose një riciklim i kësaj, mund të zgjidhej kjo brenda një dite po të ekzistonte vullneti i mirë. Raporti që ekziston sot në komisionin qendror të zgjedhjeve 5 me 2 është në favor të socialistëve ata kanë mundësi atje të merren me të gjitha vendimet meqenëse merren me 3/5 në bazë të kodit zgjedhor dhe sa i takon aspektit moral dhe politik, PS-ja ndodhet e zbuluar. Është në akuzë. Por në qoftë se i përmbahemi ligjit ashtu siç është shkruar ajo mund edhe të thotë që kjo është konform kodit zgjedhor dhe kështu konflikti do të mbetet pa një zgjidhje.

Zoti Sabri Godo mendon se në qoftë se konflikti aktual për anëtarin e shtatë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ndërlikohet atëherë gjithçka mund të shkojë në një rrugë pa krye./tvklan.al