Udhëheqësi i opozitës Sali Berisha bëri thirrje për qetësi dhe pjesëmarrje masive në votimet e së dielës për zgjedhjet e përgjithshme parlamentare në Maqedoni. Zoti Berisha dënoi aktet e dhunës dhe ekseset e vërejtura. Ai theksoi se zyrat antishqiptare janë autorë të krimit të ashtuquajturës “Pricipata e Iliridës”.

Sali Berisha: Nuk ka dyshim, në interpretimin tim, në themel të konfliktit qëndron frika e pajustifikuar e nacionalistëve maqedonas nga mbizotërimi demografik i shqiptarëve në dekadat që vijnë. Ky për mua është thelbi i konfliktit por është shumë i gabuar, sepse në një shoqëri multi-etnike, përbërësit e kësaj shoqërie pavarësisht nga % që përbëjnë në shoqëri, janë qytetarë të lirë, me të drejta të plota të garantuara në përputhje me standardet perëndimore.

Partia demokratike sipas zotit Berisha nuk shfaq preferencë politike për asnjë forcë atje, por ajo do të mbështesë zgjedhjet e lira dhe të ndershme që kanë rëndësi për të gjithë rajonin./tvklan.al