Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Mos shqyrtimi i dekretit të presidenti për emrat e ministrave të rinj, në seancën e sotme parlamentare, u komentua nga kryetari i PD Sali Berisha. Sipas tij, kryeministri Fatos Nano nuk ka kurajë të sjellë dekretin, pasi emrat janë të pa votueshëm.

Sali Berisha:- “Nanon e ka kapur, e ka zënë elektroshoku i mungesës së mandateve, ka urdhëruar Gramoz Ruçin që sot nuk do të votohen dhe kam të dhëna të sigurta, se po bëhet një presion i jashtëzakonshëm, mbi deputetët e të gjitha grupeve, në mënyrë që të grabisë, të imponojë votën pro, për një qeveri të dështuar. Atij i duhet edhe disa ditë, dhunë, terror, presione, ryshfete, mbi deputetët, në mënyrë që të kalojë ministrat e tij të pavotueshëm”.

Berisha i është përgjigjur interesit të gazetarëve, për deklaratat e nënkryetares së PD Jozefina Topalli, që sipas saj, Presidenti i Republikës duhet të ndërhyjë për zgjidhe radikale.

Sali Berisha:- “natyrisht, diversiteti i mendimeve, unë nuk kam asnjë kundërshtim dhe është e vërtetë, që zgjidhja e vetme është një qeveri, me një mbështetje të gjerë”. Firmosjen e emrave të ministrave zëvendësues nga presidenti Moisiu, Berisha e quajti veprim në përputhje me Kushtetutën, por jo dëshirë të tij.

Sali Berisha:- “Nuk them se ka qenë i lumtur dhe i kënaqur të firmosë dy kandidatë si këto, por nuk mund të mohojë, se është i detyruar të respektojë Kushtetutën, e cila ndonjëherë edhe kur të vjen e hidhur, je i detyruar ta respektosh”.

Kryedemokrati deklaroi, se vota për emrat e rinj të kabinetit Nano do të jenë kundër dhe mendon se të njëjtin qëndrim, do të mbajnë të gjitha grupet parlamentare të opozitës./tvklan.al