Në kulmin e debatit politik dhe atij publik për reformimin e sistemit të drejtësisë qeveria miraton shtatë projektligje të rëndësishme për drejtësinë shqiptare.

Ligji për ngritjen e gjykatës administrative, privatizimi i përmbarimit, ligji për avokaturën e shtetit dhe ai për avokaturën dhe noterin, disa ndryshime në kodin civil, ligji për ekzekutimin e titujve ekzekutivë si dhe një nismë për ndihmën juridike janë pjesë e paketës së ligjeve të sjella nga Ministria e Drejtësisë për të marrë miratimin e Këshillit të Ministrave, të gjitha këto nisma shumë të vlerësuara nga kreu i ekzekutivit.

Sali Berisha: “Shtatë janë ligjet që sjell Ministria e Drejtësisë dhe të çojmë në parlament ligje jashtëzakonisht të rëndësishme për reformën, por mund të them se Ministria e Drejtësisë përveç ligjit të prokurorisë që është në diskutim pothuajse i ka plotësuar tërësisht detyrimet për projektligjet që duhet të sillte”.

Kryeministri është shprehur se mazhoranca e tij është e gatshme t’i kaloje këto ligje me konsensusin e opozitës dhe sigurisht pasi ato të jenë nënshtruar një debati publik në grupet e vërteta të interesit, tha ai.

Sali Berisha: “Do të jenë objekt i një debati të hapur në parlament me opozitën, por parlamenti ka të drejtën t’i konsultojë dhe me grupet e interesit sërish, ndonëse janë konsultuar në tërësinë e tyre. Ato që janë grupe të vërteta interesi dhe jo ato që vetëdeklarohen për qëllime politike, pavarësisht se një pjesë e tyre janë 50+1, por ne do bëjmë çmos që të gjitha këto t’i diskutojmë, t’i kalojmë me opozitën.”

Në mbledhjen e radhës së qeverisë kryeministri ka vendosur në qendër të akuzave të tij sipërmarrësit, kryesisht ata në sektorin e shfrytëzimit dhe pasurive minerare, të cilët nuk paguajnë detyrimet financiare ndaj komunave ku ata ushtrojnë aktivitetin e tyre.

Berisha ka urdhëruar Ministrin e Ekonomisë të ndërmarrë një nismë ligjore për penalizmin e tyre, madje ka shtuar se do t’i delegojë kompetenca të zgjedhurve lokalë të kenë të drejtën të bllokojnë dhe aktivitetet e tyre./tvklan.al

Gazetare: Elja Zotka