Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Zhvillimi i zgjedhjeve të lira e të ndershme, mbetet çështje parësore jo vetëm për opozitën, por edhe për ndërkombëtarët. Pas kërkesës së vazhdueshme të BE, të mbështetur edhe nga SHBA, vjen një tjetër deklaratë nga kryetari i komisionit për politikat e jashtme në parlamentin gjerman, Volter Ruhe.

Pas takimit me kryetarin e PD Sali Berisha, Ruhe u shprehe se humbësit e zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare duhet të pranojnë rezultatin, në të kundërt rrezikohet integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian.

“Në qoftë se zgjedhjet e lira dhe të ndershme nuk do të pranohen nesër nga forcat politike që do t’i humbin ato, atëherë Shqipëria do të ndodhet në një rrugë qorre çka do të ishte pikërisht në disavantazh të vendit.”

Sali Berisha: “Kemi vullnet të plotë, për të pranuar verdiktin e shqiptarëve në rast se zgjedhjet do të mund të jenë të lira dhe të ndershme. Sikundër dëshirojmë që procesi i reformave të zhbllokohet, jemi të vendosur që ne të votojmë në parlament çdo ligj, të mbështesim çdo përpjekje, e cila i shërben procesit të integrimit, por nuk ekziston vullnet politik as për integrimin, pasi qeveritarët shohin më shumë interesat e tyre personale.”

Kryedemokrati Berisha shprehu me shqetësim mungesën e vullnetit që shfaqën socialistët për të kryer reformën zgjedhore, në një kohë kur opozita është e gatshme të pranojë njërin nga variantet e ekspertëve të OSBE-së për të rikompozuar KQZ./tvklan.al

Gazetare: Gerta Gixhari