Neurokirurgu bën krahasimin për trajtimin e të sëmurëve në spitalin e Spanjës

Vdekshmëria e lartë e të sëmurëve me covid në spitalet shqiptare është një fakt që shihet me shqetësim nga Profesor Doktor Kita Sallabanda, i cili është pjesë e ekipeve mjekësore që kanë trajtuar pacientët me koronavirus në Madrid, në kulmin e pandemisë.

Në një intervistë për Tv Klan, neurokirurgu bën krahasimin mes rezultateve të mjekimit në Spanjë me ato të Shqipërisë dhe thotë se vdekjet janë shumë më të larta në spitalet tona.

“Në Shqipëri ka 5,6 të humbur jetë, në Spanjë mund të ketë 10. Por në Shqipëri kemi 120 të infektuar, në Spanjë kemi 1200 të infektuar. Raporti midis të infektuarve dhe të humburit jetë në Spanjë dhe në Shqipëri është shumë ndryshe. Situata në Shqipëri për mua është atipike. Ka dy probleme të mëdha, gjurmuesit dhe pse humkin jetën kaq shumë njerëz në Shqipëri. Njerëz që futen në reminacione, intubohen”.

Ndersa kemi disa muaj që bashkëjetojmë me Covid-19 dhe pikëpyetjet që lindin prej tij, një tjetër studim ka dhënë shpresë, imuniteti i krijuar me anë të qelizave T, që duket se janë më të vlefshëm se krijimi i antikorpeve pas infektimit me koronavirus.

“Në këtë studim kemi parë që shumica e popullatës edhe pse nuk ka qenë e infektuar kanë zhvilluar atë që quhet imunitet celular. Ne kemi folur shumë për atë imunitetin kolektiv, po ndodh, por jo me antikorpe, po ndodh me qelizat T. Kjo mbrojtja me antikorpe mund të zgjasë 1,2, 3 muaj. Mbrojtja nga qelizat T është për tërë jetën.Kemi parë që qelizat T ekzistojnë në 28% të popullatës të marrë në studim”.

Sa i takon vaksinës që mendohet të na mbrojë nga koronavirusi, doktor Sallabanda thotë se do të jetë gati në fund të këtij viti apo fillim të 2021, por sërish shkencëtarët janë të ndarë në dy kampe; do ta përdorim vaksinën? Apo ajo do t’u bashkohet vaksinave të tjera pasi virusi do të zhduket vetë?

Tv Klan