Samiti evropian vendosi të nxisë vendet potencialisht kandidate të Ballkanit për integrimin e mëtejshëm, por statusi kandidat do të arrihet vetëm në bazë të meritave të veçanta të secilit shtet.

Në këtë pikë kryeministri slloven, Ivan Jansa, theksoi përparimin e fortë politik dhe ekonomik duke përmbushur përmes reformave kushtet dhe kriteret e përcaktuara për qëllimin përfundimtar të anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Arta Tozaj: “Samiti i krerëve të shteteve dhe qeverive evropiane vlerëson angazhimin e Shqipërisë për të mbajtur zgjedhje të lira dhe të ndershme gjatë vitit 2009, si dhe përpjekjet e saj të mëtejshme për të forcuar institucionet, sistemin e drejtësisë, si dhe luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit.”

Jose Manuel Barroso: “Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit dhe ajo e ndërmjetme vlerësohen pozitivisht për Shqipërinë, ndërkohë që Bashkimi Evropian vlerëson arritjen e kontakteve mes qytetarëve, arsye për të cilën ka nisur dhe dialogun për liberalizimin e vizave”.

Dimitrij Rupel: “Arritja më e madhe e këtij samiti për sllovenët është përcaktimi i fundit të vitit 2008 si datë për nisjen e negociatave për anëtarësim të Maqedonisë nëse plotëson të gjitha kriteret duke përfshirë këtu edhe merakun e grekëve për zgjidhjen e çështjes së emrit.”

Por zgjerimi i mëtejshëm i BE-së duket pak i vështirë gjatë presidencës franceze që starton me 1 Korrik.

Në mënyrë të prerë presidenti Nikolas Sarkozi deklaroi se pa traktat të Lisbonës nuk ka zgjerim.

Ai argumentoi se për anëtarësimin e vendeve të reja duhet unanimitet mes vendeve anëtare dhe do të ishte çudi sipas tij që 27 vende të binin dakord për zgjerimin me 28 apo 30 vende, ndërkohë që nuk arrinin dot ujdi për institucionet e tyre.

Gjithsesi kur bie fjala tek Kroacia duket se shumica e vendeve anëtare kanë qëndrim të favorshëm për anëtarësimin e saj edhe në mungesë të ratifikimit të traktatit të Lisbonës, çfarë do të krijonte precedentë dhe për vendet e tjera të rajonit./tvklan.al

Gazetare: Arta Tozaj