Më 16 Tetor në Tiranë do të mbahet samiti i Procesit të Berlinit. Kjo është hera e parë që ky samit zhvillohet jashtë vendeve të Bashkimit Europian.

Samiti do të zhvillohet në ambientet e Piramidës. Gazetarja Klesiana Omeri raportoi se po bëhen punimet e fundit për të qenë gati. Më 16 Tetor do të bëhet edhe inaugurimi përfundimtar i kësaj godine të rikonstruktuar dhe transformuar.


“Organizime të tilla të mëdha i kemi parë që janë zhvilluar në ambiente të ndryshme në kryeqytet pikërisht në Pallatin e Kongreseve, por këtë herë është zgjedhur pikërisht ky atraksion i ri që i është shtuar kryeqytetit, që është Piramida, totalisht e transformuar”, tha gazetarja Omeri.

Gazetarja raportoi edhe se si do të vijojë axhenda të hënën.

“Hyrja e liderëve do të jetë nga hyrja kryesore e Piramidës. Rreth orës 11:00 do të nisë edhe pritja nga kryeministri Edi Rama. Më pas 30 minuta më vonë do të nisë sesioni i parë, hapja e fjalës që do të bëhet nga Kryeministri Edi Rama, presidentja e KE, Ursula von Der Leyen, kreu i Këshillit të Europës, Charles Michel dhe kancelarit gjerman Olaf Scholz. Do të ketë dy sesione të ndara që do të lidhen me integrimin e rajonit në BE, por gjithashtu edhe bashkëpunimit në fusha të ndryshme”, tha Omeri.

Pritet që të ketë edhe nënshkrime marrëveshjesh sa i përket kualifikimeve profesionale. Më pas do të ketë takime bilaterale, deri në orën 17:45. Rreth orës 18:00 është parashikuar edhe konferenca për shtyp.

Samiti i Procesit të Berlinit në Tiranë pritet që të mbyllet zyrtarisht pas inaugurimit të Piramidës.

Ndërkohë më 17 Tetor do të zhvillohet vizita e parë zyrtare e një Presidenti francez ku Emmanuel Macron pritet të takohet me kryeministrin Edi Rama. Deri më tani nuk ka një axhendë zyrtare sa i përket këtij takimi./tvklan.al