Petrit Beci, i cili ka qenë 8 herë pjesë e ekipit të Eurovision ndau me “Aldo Morning Show” në Tv Klan disa prapaskena të kompeticionit muzikor europian. Ai u ndal nga teknologjia që integron menjëherë të rejat më të fundit ku edhe eksperimentohen, te ndjekja hap pas hapi e çdo procesi, kultura e punës që përllogarit sekondat por edhe për votimin apo përzgjedhjet e këngëve.

Gjatë bisedës, Beci u shpreh se vendet e vogla duhet të synojnë gjithnjë që të marrin pjesë me këngë të veçanta dhe jo klasike për të marrë vëmendje. Ndër të tjera, ai tha se ka patur raste kur është perceptuar se kush mund të jetë fituesi apo vendet favorite. Megjithatë, duke marrë shembull këngën e Rona Nishliut që arriti të renditej e pesta në vitin 2012, ai renditi edhe disa kritere të suksesit në Eurovision.

Petrit Beci: Që një këngë të jetë e suksesshme në EuroSong, duhen tre elementë bazë: 1. që kënga, përveçse duhet të jetë këngë konkurruese, mbi të gjitha ka të bëjë shumë ku është prodhuar sepse Rona u prodhua në studion “Capitol”, në një nga studiot më të mëdha të botës, në Los Anxhelos, pra patenta është firmë. Nuk është njësoj Benz-i me një tjetër. E dyta, gjeografia e klikimeve, gjeografia e bërjes marketing është shumë e rëndësishme, duhet të shtrihesh gjithandej dhe ka disa forma për të bërë marketing. Dhe e treta, padyshim që s’duhet mohuar sepse është në çdo fushë të jetës, lobimi. Pa lobim s’bëhet asgjë, më thuaj ti çfarë pune bëhet pa lobim, si në politikë e kudo.

Sa i përket realizimit të ëndrrës që Eurovision të mbahet në Shqipëri, Beci shpjegoi se në vitin 2007 një ekip erdhi për ta vlerësuar vendin në perspektivë. Problemet kryesore janë ambienti pasi vetëm për trajlerat do të nevojitej një hapësirë të paktën sa stadiumi “Air Albania” si dhe hoteleria, ku duhen të paktën 20 mijë shtretër në struktura akomodimi me 3-5 yje./tvklan.al