Uashingtoni vë në lëvizje forcat detare amerikane për të mbrojtur Izraelin nga sulmi i pritshëm hakmarrës i Iranit për vrasjen e liderit të Hamasit, Ismail Hanije. Sekretari amerikan i mbrojtjes, Lloid Ostin lëshoi këtë urdhër për afrimin e nëndetëses me energji bërthamore Xhorxhia, pranë ujërave të Lindjes së Mesme.

Nëndetësja ka aftësi goditëse me raketa që komandohen në distancë për goditje më të saktë të objektivave. Kjo nëndetëse ndodhet në ujërat e Mesdheut, ndërsa publikimi i këtij urdhëri është një gjë e rallë pasi zakonisht lëvizjet e forcave amerikane mbahen sekret.

Ajo dërgohet për të shoqëruar aeroplanmbajtësen Abraham Linkoln që po ashtu është e ngarkuar me mision në mbrojtje të Izraelit.

Izraeli dhe aleati i tij i madh, Shtetet e Bashkuara besojnë se kundërpërgjigja hakmarrëse e Iranit do të jetë në përmasat e asaj të 14 Prillit me 350 raketa e dronë drejt territorit izraelit të cilat u shkatërruan në ajër, por në dallim nga ajo kohë kur sulmi ishte i paralajmëruar dhe u konsiderua një demonstrim force i Iranit, këtë herë pritet të jetë më serioz.

Tv Klan