Në Maryland shpallet gjendja e jashtëzakonshme

Një urë në qytetin amerikan të Baltimores është shembur tërësisht pasi është goditur nga një anije me kontejnerë.

Mediat shkruajnë se deri më tani të paktën 20 persona rezultojnë të zhdukur, të gjithë punonjës të mirëmbajtjes së urës, të cilët punonin për riparimin e saj në orën 1:30 të mëngjesit me orën lokale.

Në momentin e shembjes, në urë ndodheshin dhjetëra automjete. Në filmime dallohet një moment shpërthimi kur ura nis të shembet dhe kjo ka hedhur dyshime për praninë e materialeve shpërthyese në anije. Kjo është hera e parë e një incidenti të tillë në këtë urë.

Videot në mediat sociale tregojnë momentin kur anija e cila kalon poshtë urës Francis Scott Key e godet atë duke rezultuar fatale. Anija e tyre e quajtur “Dali” e ngarkuar me kontejnerë mallrash u fundos, pjesëtarët e ekuipazhit arritën të gjithë të shpëtojnë pa lëndime. Të paqarta janë shkaqet e përplasjes së anijes me këmbët e urës Francis Scott Key, që ndodhen mbi lumin Patapsko e ndërtuar në vitet ’70.

Forcat e rojes bregdetare të SHBA dhe agjencitë e tjera shtetërore të Maryland i janë bashkuar operacionit të shpëtimit. Guvernatori Wes Moore ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme në Maryland pas shembjes së urës dhe autoritetet së bashku me një ekip ndërinstitucional janë vendosur në dispozicion për të gjetur punëtorët e zhdukur. Ekspertët kanë bërë të ditur se nëse struktura e saj do të ishte më e mirëmbajtur shembja do të parandalohej.

Fatkeqësia e së martës mund të jetë shembja më e rëndë e urës në SHBA që nga viti 2007, kur ura I-35Ë në Minneapolis u shemb në lumin Misisipi, duke vrarë 13 persona. Ura e Francis Scott Key, më e madhja në zonën e Baltimores, është ndërtuar në vitin 1977, është 2.6 km e gjatë dhe mbi të kalojnë 11.5 milionë automjete në vit.

Klan News