Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Salla e Parlamentit është kthyer në arenë konflikti mes deputetëve demokratë dhe deputetes së zgjedhur në Elbasan, Valentina Leskaj, në momentin kur kryeparlamentari Pëllumbi ka paralajmëruar betimin e saj. Lideri demokrat Berisha, menjëherë ka protestuar, duke kërkuar të marrë fjalën, por kryeparlamentari Pëllumbi ka urdhëruar teknikët të mbyllin mikrofonat.

Kjo ka mjaftuar që demokratët ta presin deputeten e re me thesin e varur në podiumin, ku zakonisht flasin të zgjedhurit nga populli. Mandatin e Leskaj e ka mbrojtur publikisht katharsisti Lekë Çukaj, ndërsa grupi parlamentar i PD, ka braktisur sallën e Parlamentit.

Socialistët dhe aleatët e tyre kanë mbetur të vetëm në sallën e parlamentit për të dëgjuar betimin e Leskaj ndërsa më pas kanë shpërthyer në duartrokitje entuziaste. Berisha e ka akuzuar Pëllumbin, për shkelje të Kushtetutës, me betimin e Leskaj.

Sali Berisha:- “Ky mandat është leckë, këtë e ka marrë veshë e gjithë Shqipëria, se ky mandat është bazuar në miellin e vjedhur, të shpërndarë nga ministrja Leskaj dhe vëllezërit e saj, këtë e dinë të gjithë shqiptarët dhe komuniteti ndërkombëtar. Çështja është në gjykim dhe në hetim. Është shkelje e rëndë e Kushtetutës dhe marrja e mandatit, pa përfunduar gjykimi dhe hetimi. Ndaj dhe kjo ishte arsyeja që unë i kërkova shoqes simite të mos prishë parlamentin, por të shkojë njëherë në Elbasan tek mielli dhe do të vazhdojmë prapë përpjekjen tonë për të mbrojtur Kushtetutën”./tvklan.al

Gazetar – Vladimir Lame