Lajme Arkiva – TV Klan 2001

Shkarkohet drejtori i policisë gjyqësore në Prokurorinë e Përgjithshmë, Sokol Koçiu. Lajmi është konfirmuar nga burime zyrtare të cilat thanë se bashkë me të janë shkarkuar edhe disa oficerë të policisë gjyqësore, të prokurorisë. Vendimi i Prokurorit të Përgjithshëm Arben Rakipi, i është komunikuar sot zyrtarisht Koçiut, nga shefi i administratës.

Vendimi i papritur është argumentuar me faktin se policia gjyqësore, që drejtonte deri tani Koçiu, nuk ekziston më, pasi është riorganizuar dhe tashmë funksionon në varësi të Ministrisë së Rendit. Por burimet thanë se shkaku i vërtetë i shkarkimit mund të ketë lidhje me raportet shumë të ngushta të Koçiut me trafikantin e drogës Arben Përballa. Ky i fundit u arrestua në fund të javës së kaluar nën akuzën e pjesëmarrjes në një rrjet të madh ndërkombëtar të trafikut të kokainës.

Burimet nga Interpoli dhe antidroga shqiptare thanë, se Koçiu po hetohet, për lidhjet e tij të dyshimta me Përballën, vite më parë kur ata punonin në një rreth të veriut. Menjëherë sapo ka mësuar vendimin e shkarkimit, Koçiu është prononcuar në media. Ai ka akuzuar shefin e shërbimit sekret Fatos Klosi dhe ish-kryehetuesin Tirana, se kanë liruar Fatmir Haklaj, i cili është akuzuar si njëri prej vrasësve të Azem Hajdarit./tvklan.al