Mbi 1 milion persona në Kubë janë evakuuar si pasojë e “Ike”, një uragan i cilësuar si vrastar.

Syri i stuhisë preku brigjet e Kubës duke shkaktuar panik dhe frikë. I shoqëruar me reshje të dendura “Ike” solli përmbytje dhe era të fuqishme me një shpejtësi prej 195 kilometrash në orë që shkatërruan afro 100 ndërtesa.

Sipas autoriteteve kjo është hera e parë në histori që Kuba goditet nga dy uragane të kategorisë katër në tetë ditë.

Tani “Ike” i është drejtuar Floridës duke vënë banorët atje në alarm, por qendra kombëtare e uraganeve në Miami bën të ditur se “Ike” humbi fuqinë duke zbritur në kategorinë dy.

Sidoqoftë në brigjet amerikane është shpallur gjendja e emergjencës, ndërsa platformat e naftës në Gjirin e Meksikës janë evakuuar.

Nga e gjithë trajektorja e përshkuar nga “Ike” Haiti është më i godituri. Vetëm ky uragan i ka marrë jetën mbi 73 personave, ndërsa ishulli i varfër është goditur pareshtur nga tre uragane të fuqishëm si pasojë e të cilëve janë regjistruar qindra viktima./tvklan.alGazetare: Urita Dokle