Shoqata shqiptaro-amerikane “Vatra” kërkon ta ngrejë shqetësimin mbi ligjin e lustracionit në një tjetër nivel. Një peticion që do të firmoset nga përfaqësues të kësaj shoqate, mes tyre ish-të përndjekur të regjimit komunist, do t’i dërgohet shumë shpejt presidentit amerikan Barack Obama.  Si thelb i këtij peticioni do të nënvizohet vendimi e Gjykatës Kushtetuese, që pezulloi zbatimin e ligjit  për pastërtinë e figurave deri në një vendim përfundimtar të këtij institucioni.

Të gjitha detajet mbi peticionin drejtuar presidentit Obama, zbardhen në faqen zyrtare të agjencisë së lajmeve INA, e cila i referohet burimeve të kësaj shoqate. Hartuesit e peticionit, një pjesë e konsiderueshme me një të shkuar të trishtë pushkatimesh, dënimesh maksimale në burgjet komuniste e konsiderojnë të udhës t’i adresojnë këtë shqetësim presidentit Obama dhe jo vetëm.

Në cilësinë tashmë edhe të shtetasve amerikan, i njëjti peticion i drejtohet kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara Nensi Pelosi, sekretares amerikane të shtetit Hillary Clinton, si dhe ambasadorit të Shteteve të Bashkuara në Tiranë John Withers.

Përfaqësuesit e shoqatës vlerësojnë se vlerat e demokracisë në Shqipëri ndodhen në rrezik, nga një shpurë politike e cila akoma nuk është shkëputur nga e kaluara e saj. Nëpërmjet peticionit përfaqësuesit e shoqatës kërkojnë të nxisin autoritetet më të larta amerikane të bëjënë të mundur kalimin e ligjit të lustracionit duke pasur në konsideratë qëndrimin e ashpër amerikan ndaj krimeve të komunizmit./tvklan.alGazetare: Menada Zaimi