Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Për zgjedhjet e ardhshme parlamentare nuk do të ketë koalicion opozitar Bashkimi për Fitore. Opozita ende nuk e ka të qartë se si do të paraqitet në zgjedhje, pasi pozicionet partiake nuk janë më si më parë. Mungesa e legalistëve dhe ballistëve, në parlament, redukton edhe numrin e aleancave të Bashkimit për Fitore.

Demokratët nga ana e tyre janë të hapur të bashkëpunojnë me çdo parti të djathtë, duke parë edhe kushtet që kërkon secila palë.

Ridvan Bode: “Sigurisht do të jenë ata që përbëjnë faktorë në politikën shqiptare, që do të bashkëpunojnë me PD, po ne mbetemi të hapur gjithashtu për të gjitha partitë, të qendrës dhe qendrës së djathtë, që do të gjejnë veten në skemën e bashkëpunimit dhe thashë, është skemë e bashkëpunimit ligjor, nuk mund të ketë skema të tjera bashkëpunimi përveç asaj që përcakton kodi elektoral.”

Reformatorët gjithnjë janë shfaqur skeptikë në marrëdhëniet e tyre me PD, e herë si bashkëpunues të qeverisë socialiste. Këtë radhë tymnaja e aleancës PD-PDR do të shuhet nëse demokratët mbështesin projektligjin e reformatorëve, për makinat e përdorura që shkaktojnë ndotje të mjedisit.

Genc Pollo: “Të gjithë votat e deputetëve të PD, por edhe të gjithë të tjerëve janë të vlefshme për të aprovuar një ligj të mirë për shëndetin e tërë deputetëve, familjeve të deputetëve dhe çdo qytetari të Republikës së Shqipërisë.”

Ndërsa Partia Republikane mbetet aleati më besnik i PD.

Fatmir Mediu: “Marrëdhëniet tona do të kushtëzohen fort në një qeverisje të nesërme të partneritetit edhe në zgjidhjen e kësaj çështje në favor të pronarëve legjitim. Duke u bazuar në sistemin aktual të zgjedhjeve, mendoj që duhet parë që të mos ketë konkurrim të brendshëm në mazhoritar brenda përbrenda opozitës dhe natyrisht një angazhim më konkret në proporcional të forcave të opozitës.”

Grupi i ri parlamentar, Lëvizja për Zhvillim Kombëtar nuk do të bashkëpunojë me asnjë forcë politike, pasi ka program monarkist. Sipas kryetarit të LZHK-së Maksim Begeja, ky grup do të dalë i vetëm në zgjedhje. Gjithashtu një grup  tjetër i ri parlamentar i të djathtës ka tendencë të aleancojë me PD, megjithëse në këtë grup gjenden ballistë të ndryshëm e demokratë të rinovuar. Megjithatë kryetari i grupit të të djathtëve Uran Metko kërkon nga lideri demokrat Berisha të mbledh tryezën e partive të djathta.

Uran Metko: “Sa më parë duhet të krijohet një tryezë dhe të futet në bisedime me të gjithë aleatët e vetë të djathtë, të cilët gjatë gjithë kohës të funksionimit të parlamentit dhe të qëndrimeve te partisë politike kanë mbajtur qëndrime të djathta dhe nuk janë futur në kompromise, apo në pazare të ndyra me të majtën.”/tvklan.al

Gazetare: Gerta Gixhari