Një punonjëse e kombinatit mekanik të armëve në Poliçan ka humbur jetën nga shpërthimi i një predhe rreth orës 8:30.

45-vjeçarja, Suzana Kapxhiu, është goditur në kokë nga djegorja e predhës, e cila ka prekur gjithashtu dhe një tjetër punonjës, 45-vjeçarin, Adriatik Hysenbelliu, por ky i fundit ka pësuar vetëm disa gërvishtje të lehta.

Ministria e Mbrojtjes sqaroi zyrtarisht në detaje ngjarjen duke thënë se shkak i shpërthimit të predhës ka qenë pakujdesia dhe mosrespektimi i sigurimit teknik në punë.

Albana Mustafaraji: “Jashtë ambienteve të repartit të Poligonit gjashtë punonjësit e këtij reparti përpara se të nisnin punën kanë ndezur një zjarr për t’u ngrohur përbri murit të Poligonit. Për ndezjen e këtij zjarri ata kanë përdorur mbeturinat e ambalazheve të djegoreve dhe si shkak i këtij zjarri një element i një gote të djegores të kalibrit 57 milimetra ka shpërthyer duke goditur rëndë punonjësen Kapxhiu në kokë në pjesën anësore të saj. Ajo është shoqëruar menjëherë drejt spitalit të Poliçanit, por fatkeqësisht ka gjetur vdekjen gjatë rrugës për në spital. Sipas informacioneve të para të ardhura nga drejtoria e kombinatit të Poliçanit në këtë repart kryhej që prej vitit 2004 çmontimi i djegoreve të shtimjeve të kalibrit 57 milimetra. Ky proces kryhej nga punonjësit Krenar Hysi, përgjegjës poligoni, Luan Koroni, Suzana Kapxhiu, Burbuqe Sulçe, Adriatik Hysenbelliu dhe Edmond Lulaj.”

Prej një muaji punonjësit e këtij poligoni ishin duke pastruar territorin nga mbeturinat e demontimit të armëve, proces ky që kryhet prej katër vitesh në këtë repart.

Punonjësit sipas Ministrisë së Mbrojtjes kishin një eksperiencë prej 15 vitesh në këtë punë. Ky dikaster konfirmoi gjithashtu se në uzinë nuk kryhej demontim prej një muaji.

Një grup ekspertësh nga kjo ministri, prokurorë dhe policia po punojnë për të zbardhur të tjera rrethana të plota të këtij aksidenti./tvklan.al

Gazetare: Anduena Llabani