Në takimin me të rinjtë pjesë e programit kombëtar i praktikave të punës kryeministri Edi Rama deklaroi se për Shqipërinë janë 5 vitet e fundit për të kryer me sukses negociatat për anëtarësimin e plotë në BE.

Edi Rama, Kryeministër i Shqipërisë: Shqipëria është në hapin e fundit për tu bërë anëtare e BE, për tu bërë pjesë e familjes së bashkuar europiane. Kur them hapin e fundit, unë numëroj 500 vjet, këto janë 5 vitet e fundit. Është një hap, finali për të kryer me sukses negociatat.

Kryeministri deklaroi se imazhi i Shqipërisë është përmirësuar ndjeshëm vitet e fundit.

Edi Rama, Kryeministër i Shqipërisë: Deri përpara disa vitesh dukej i paimagjinueshëm, nuk na respektonte asnjeri. Na konsideronin një komshi të cilin se heq dot qafe, gati – gati si një banor në një ndërtim pa leje këtu në Ballkan edhe e shtynim ne. Sot na respektojnë. Sot të thuash ‘jam nga Shqipëria’, je seksi. Deri dje ishe qamet.

Rama tha se programi Kombëtar i Praktikave të Punës ka ndihmuar në punësimin me meritë të të rinjve në administratën publike sepse konkurset nuk janë farsë.

Edi Rama, Kryeministër i Shqipërisë: Nëse konkurset e administratës publike do të ishin të shitura, në kuptimin që do të ishin farse, atëherë rreth 1/3 e tyre nuk do dilnin pa fitues. Por dalin pa fitues sepse nuk arrijnë të plotësohen të gjithë ato kriteret e forta që janë. Tani nuk diskutohet që ne shqiptarët nuk jemi humbësa të zotë, ne nuk dimë të humbim dhe kur njeriu nuk di të humbi e ka shumë të vështirë që të mësojë si fitohet.

Programi Kombëtar i Praktikave të Punës prej 9 vitesh ofron mundësi për të rinjtë që të fitojnë eksperiencë pune duke bashkëpunuar me profesionistë të karrierës në administratën publike.

Klan News