Sporti bashkon popujt dhe ashtu si NATO ka mbledhur shumë vende rreth saj.

Ministria e Mbrojtjes ka gjetur një mënyrë tejet origjinale për të festuar hyrjen e Shqipërisë në Paktin e Atlantikut Verior duke zhvilluar të enjten një ndeshje futbolli në stadiumin “Qemal Stafa”.

Shqipëri-NATO ka qenë sfida që përfundoi në barazim 2 me 2. Ushtarakët shqiptarë treguan anën e tyre jashtë armëve, ndërsa përballë kanë patur kolegë të tyre pjesëtarë të Komandës së NATO-s në Tiranë.

Një ndeshje miqësore për të treguar lidhjen e Shqipërisë me këtë Aleancë që numëron 28 vende. Në lojë ka qenë edhe Ministri i Mbrojtjes, Gazmend Oketa, që në mënyrë simbolike në pjesën e dytë luajti me fanellën e NATO-s.

Gamend Oketa: “E zgjodhëm këtë ndeshje për t’i dëshmuar dhe atyre qytetarëve shqiptarë, atyre të rinjve shqiptarë, të cilët dëshirojnë t’i bashkohen Forcave të Armatosura të  të Republikës së Shqipërisë. Forcat e Armatosura nuk kanë vetëm dimensionin ushtarak, kanë dhe jetë civile, kanë dhe jetë sportive”.

Ministri Oketa sqaroi se do të nisë një fushatë në ambiente publike dhe veçanërisht universitare për t’i afruar ata të rinj që duan t’i bashkohen Forcave të Armatosura në këtë periudhë të re të saj, periudha NATO./tvklan.al