Ministri i Ekonomisë, Energjetikës dhe Tregtisë Genc Ruli ka sqaruar projektin e nënshkruar një ditë më parë për ndërtimit e një impianti rigazifikimi në zonën e Fierit.

Projekti është marrë përsipër nga grupi italian Falcione dhe arrin në rreth 1 miliard euro. Falë këtij investimi i cili përfshin edhe një linjë nënujore gaz përcjellëse drejt Italisë, Shqipëria pritet të plotësojë më së miri nevojat e veta për gaz, duke ja servirur me kosto më të ulëta këtë element si industrive vendase ashtu dhe konsumatorit shqiptar .

Genc Ruli: “          Kapaciteti përpunues në projekt është menduar të jetë rreth 8 miliard metra3 gaz. Shteti shqiptar ruan të drejtën që nga kjo sasi gazi që do kalojë nëpërmjet këtij impianti deri në 500 milion metra3 të përdoren për nevojat e tregut. Shqipëria me këtë projekt rrit indipendencën në prodhimin e energjisë dhe garancinë në furnizimin e popullatës dhe të ekonomisë me energjinë elektrike.”

Teksa impiante të tilla rigazifikimi janë vetëm 6 në të gjithë Mesdheun, ministri ruli tha se përveç grupit Falcione ka edhe 2 kompani të tjera që kërkojnë të investojnë në Shqipëri në këtë fushë.

Pyetjes së gazetarëve se pse u përzgjodh Shqipëria për këtë investim, administratori i Grupit “Falcione” ju përgjigj.

Edmondo Falcione: “Tregu shqiptar dhe ai ballkanik bashkë me pjesën e konsumit italian të gazit na mundëson gjetjen e levave të duhura për të financuar këtë projekt.”

Ky projekt pritet të realizohet për një periudhë 5-6 vjeçare dhe do ti shërbejë jo vetëm Shqipërisë dhe Italisë, por edhe pjesës tjetër të rajonit./tvklan.al

Gazetar: Fjorald Zguro