Shqipëria nënshkruan Konventën e Hagës për Njohjen dhe Ekzekutimin e Vendimeve të Huaja në çështjet civile dhe tregtare. Në një postim në rrjetet sociale ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja e cilësoi hap historik për drejtësinë shqiptare nënshkrimin e kësaj konvente.

“Ky është një hap i rëndësishëm drejt ndërtimit të një sistemi drejtësie më të besueshëm dhe të aksesueshëm për qytetarët dhe bizneset shqiptare. Kjo arritje ul ndjeshëm kostot dhe kohën e ekzekutimit të vendimeve gjyqësore, përmirëson klimën e biznesit dhe përforcon bashkëpunimin ndërkombëtar.”

Konventa vendos një gur themel të fortë në bashkëpunimin ndërkombëtar dhe përafrimin e legjislacionit shqiptar me standardet e Bashkimit Europian. Si anëtare e Konferencës së Hagës për të Drejtën Ndërkombëtare Private, Shqipëria tani është palë në 17 konventa të kësaj organizate, 4 prej të cilave janë nënshkruar në periudhën 2023-2024. Sipas ministrit Manja, këto marrëveshje forcojnë reputacionin e Shqipërisë në drejtësinë ndërkombëtare duke e afruar edhe më shumë drejtësisë europiane.

Klan News