Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Akuza për trafik fëmijësh në qytetin e Elbasanit. Prej ditësh, disa prindër akuzojnë shtëpinë e fëmijës “Shpresa”, duke hedhur hije dyshimi mbi parregullsinë në dokumentacionet e birësimit, deri në zhdukje të të miturve.

Kristina nga një fshat i Gramshit thotë, se vajzën e saj Xhoanën, e la para katër vjetësh në shtëpinë e fëmijës dhe deri dy vjet më parë e shihte atë rregullisht, më pas punonjës të shtëpisë së fëmijës “Shpresa” i thanë se vajza e saj u birësua në Tiranë. Kristina pohon, se për këtë nuk i ka marrë askush mendim, ndërkohë që ajo vazhdon të kërkojë të bijën e saj, e cila tashmë është 4 vjeç.

Kristina:- “Unë kërkoj fëmijën tim. Gocën time e quajnë Xhoana, e kanë marrë Shpresa Sh. nga Tirana, e cila e ka marrë në mënyrë të paligjshme, e ka marrë me dokumente false, gjithçka është false. Dua të verifikohet çdo gjë, unë dua fëmijën”.

Edhe Emanuela kërkon nipin e vetë Françeskon, të cilin ia ka lënë në ngarkim i vëllai që ndodhet në burg. Emanuela thotë, se mungesa ekonomike e detyroi ta linte nipin në shtëpinë e fëmijës, por jo ta braktiste atë. Prej kohësh ajo nuk ka asnjë lajm, se ku ndodhet vogëlushi.

Emanuela:- “Shkova tek Xhuli i thashë, pas një viti çova ca ushqime, ajo më tha, nuk e kemi këtu e kemi birësuar. I thashë, si e keni bërë këtë pa lejen e të atit, pa lejen e të tjerëve? Ajo tha, ik mos më hajde më këtu”.

Familjarët i janë drejtuar shoqatës së jetimëve biologjik në Elbasan, pasi shtëpia e fëmijës “Shpresa”, nuk u jep asnjë përgjigje për fatin e të miturve./tvklan.al

Gazetare – Eva Paja