60 persona në ditë paraqiten në spitalin infektiv me shqetësime gastrointestinale apo gjendje virale.

Sipas mjekëve infeksionistë numri i pacientëve që paraqiten në këtë urgjencë ka ardhur në rritje nga dita në ditë, por situata nuk paraqitet shqetësuese.

Afrim Yzeiri: “Kryesisht janë persona me çrregullime gastrointestinale ku një prej arsyeve mund të jenë dhe helmimet ushqimore, kur ka dhe të natyrave të tjera, ka gjendje virale, të cilat mund të manifestohen me temperaturë, me dobësi trupore, ndonjëherë me të vjella, dhimbje koke. Gati 2/3 e rasteve që vijnë këtu tek ne janë të natyrave gastrointestinale dhe të gjendjeve virale. Ndihet që është një numër në rritje dhe shkon diku te 60 veta në ditë, ndonjëherë dhe pak më shumë”.

Gjithashtu në spitalin infektiv janë paraqitur edhe raste me brucelozë, por mjekët shprehen se kjo sëmundje nuk ka lidhje me stinën e verës në të cilën ndodhemi, por ato janë thjesht raste sporadike dhe nuk bëhet fjalë për epidemi./tvklan.al

Gazetare: Brunilda Cami