Trajneri i Shqipërisë, Silvinjo, vlerësoi maksimalisht Gjeorgjinë, në prag të sfidës në Ligën e Kombeve. Sipas tij, sfida në “Air Albania” do të jetë shumë e bukur, referuar kundërshtarit që është përballë.

Tekniku kuqezi deklaroi se ende nuk është vendosur përfundimisht për formacionin që do të zbresë në fushë, pasi do të shihet gjendja e lojtarëve edhe nesër.

“Është bërë një punë e mirë nga stafi. Lojtarët e dinë që duhet të futen në fushë me intensitet. Futbolli të merr shumë energji. Nëse nuk bën disa gabime, nuk ke nevojë të kthehesh të mbrapa. Gjeorgjia është një ekip i mirë organizuar. Kanë bërë Europian shumë të mirë, kaluan grupet. Janë ekip i mirë, i organizuar dhe do të jetë një ndeshje e bukur.

Gjatë një ndeshje mund të bësh disa ndryshime. Kur duheshin zëvendësime ndaj Ukrainës, i bëmë. Është kohë e vogël për tu rikuperuar për lojtarët dhe e vështirë. Sot bëmë stërvitjen e parë, pas kthimit nga Praga. Nesër do të bëjmë freskim të muskujve dhe më pas do të zgjedhim formacionin.

Do shikojmë gjendjen fizike të lojtarëve. Është e vështirë. Do flasim me lojtarët. Kemi 23 lojtarë të gatshëm. Nëse një lojtar nuk është rikuperuar mjaftueshëm këto ditë, do të vendoset. Nesër pas dreke, do të kemi një ide më të qartë.”, tha timonieri kuqezi.

I pyetur për skemën, Silvinjo deklaroi se Shqipëria e ka mundësinë të luajë edhe me 4-4-2, ndërsa refuzoi të bëjë krahasime për Kvaratskhelia-n. Ai tha se stafi i Kombëtares e ka studiuar Gjeorgjinë prej disa muajsh.

“Prej një viti e gjysmë që kemi nisur me Kombëtaren. Në Poloni e kemi nisur me 4-3-3. Në Varshavë, Uzuni luajti në krahë, por tani e kemi thirrur në qendër. E njëjta me Bajramin që e ka nisur si anësor dhe u spostua në qendër. Kemi kuptuar se mund të luajmë edhe me 4-4-2. Kemi 2-3 mundësi si lojtarët luajnë. I kemi mundësitë që e dimë si funksionojnë.

Nuk dua të futem në krahasime. Kvara është lojtar shumë i mirë, por Gjeorgjia ka lojtarë të tjerë shumë të mirë. I kam studiuar prej një muaji. Kvara është një lojtar klasi. Është kënaqësi për ne të luajmë ndaj tij. Edhe ne kemi lojtarë të mirë, që mund të arrijnë në atë nivel.

E kemi studiuar prej muajsh Gjeorgjinë. Të tre kundërshtarët janë të fortë, por diferenca me Gjeorgjinë është se ata kaluan grupin në Europian dhe bënë mirë. Kanë lojtarë shumë të mirë, do të jetë një ndeshej e vështirë. Mendoj se ata janë rritur shumë. Dua t’i jap komplimente të gjithëve, janë rritur shumë si ekip. Të njëjtën gjë mund të them edhe për ne, po bëjmë shumë mirë. Stadiumi do të jetë plot me mbështetës për ne.“, u shpreh ai.

Silvinjo theksoi se nuk ka asgjë personale me lojtarë të caktuar, ndërsa u shpreh se te Shqipëria shikon nisjen e një cikli të ri.

“Nuk ka asgjë personale me asnjë lojtar. Ancelotti ka thënë që një lojtar mund të mërzitet për vendimet, por nuk ka asgjë me trajnerin. Ne kemi bërë shumë mirë në Europian. Kishim ekipe të vështira. Në këtë ndeshje, shkojmë fortë. Unë e shikoj si një cikël të ri. Kemi sjellë Zekën dhe Spahiun. Më pëlqen që lojtarëve iu është krijuar ideja që duhet të japin maksimumin për të qenë në formacion.

Nuk mund të bëj krahasime me ndeshjen e kaluar. Mund të them se do të jetë një ndeshje e fortë. Nuk mund të bëjë parashikim rezultati. Do futemi për të bërë ndeshje të mirë.

E kam parë ndeshjen me Çekinë, ishte ndeshje e vështirë. Grupi është i balancuar. Nuk ka një ekip që mund t’i fitojë të gjitha ndeshjet. Ekipi që fiton ka një lloj avantazhin në vazhdimësi të kompeticionit. Çdo ndeshje që fiton, të sjell një avantazh. Deri në nëntor, kemi shumë punë përpara.”, deklaroi Silvinjo.

Ndeshja Shqipëri-Gjeorgji, do të luhet të martën e 10 shtatorit në stadiumin “Air Albania”, ndërsa transmetohet në ekranin e Tv Klan.

/tvklan.al