Kombëtarja do të nisë grumbullimin për dy ndeshjet e Shtatorit të Ligës së Kombeve Ukrainës dhe Gjeorgjisë. Trajneri Silvinjo ka publikuar sot listën me 24 lojtarë.

Etrit Berisha nuk do të jetë i grumbulluar, në portë janë thirrur Thomas Strakosha, Alen Sherri dhe Simon Simoni.

Në mbrojtje rikthehet futbollisti i Partizanit, Andi Hadroj. Emrat e tjerë që përbëjnë repartin e prapavijës janë Berat Gjimshiti, Elseid Hysaj, Ivan Balliu, Mario Mitaj, Marash Kumbulla, Ardian Ismajli dhe Enea Mihaj.

Në repartin e mesfushës dhe të sulmit ka dy risi. Trajneri Silvinjo ka vendosur të thërrasë për herë të parë në Kombëtaren A mesfushorin Sebastjan Spahiun dhe sulmuesin Agim Zeka.

Të dy futbollistët më parë kanë qenë pjesë e Shqipërisë U-21. Spahiu aktivizohet në Iran, ndërsa Zeka në Superligë me Partizanin.

Në mesfushë do të jenë gjithashtu Ylber Ramadani, Amir Abrashi, Kristjan Asllani, Medon Berisha, Qazim Laçi, Nedim Bajrami.

Sulmi përbëhet nga Arbër Hoxha, Jasir Asani, Rey Manaj, Armando Broja dhe Taulant Seferi. Mungon Ernest Muçi dhe Myrto Uzuni i cili nuk u grumbullua as në finalet e Europianit.

Grumbullimi i lojtarëve do të nisë këtë të diel në Tiranë me futbollistët që do të përfundojnë më herët impenjimet me skuadrat e tyre, ndërsa grupi i lojtarëve pritet të jetë i plotë të hënën më 2 Shtator.

Të premten e ardhshme kuqezinjtë do të udhëtojnë drejt Çekisë, aty ky më 7 shtator do të luhet ndeshja e parë në Grupin B1 të Nations League ndaj Ukrainës, në stadiumin “Epet Arena”, në orën 20:45.

Tre ditë më pas më 10 shtator, Kombëtarja shqiptare do të luajë ndaj Gjeorgjisë në stadiumin “Air Albania”, në orën 20:45.

Tv Klan