Qindra komuna në veri të vendit vazhdojnë të mbeten të bllokuara si pasoj e reshjeve të mëdha dëborës, gjithashtu edhe disa akse kryesore rrugore janë të pa kalueshme nëse në pjesën më të madhe të rrugëve të zonave veriore dhe juglindore, qarkullimi është i mundur vetëm me zinxhirë.

Situata më e rënduar është në Pukë, Mirditë, Kukës, Peshkopi dhe në Malësinë e Madhe ku trashësia e dëborës arrin deri në 1 metër. Në Pukë 16 pasagjer të një furgoni që udhëtonte nga Tropoja për në Tiranë u shpëtua nga policia pasi kishin mbetur për më shumë se 1 orë në mes të dëborës. Ndërkohë që në qarkun e Shkodrës ka probleme në pjesën më të madhe të rrugëve.

Mexhit Cungu: “Gjatë natës është punuar mjaft nga ndërmarrja nacionale e rrugëve, është pastruar aksi Shkodër-Kukës, Shkodër-Qafë Malit po punohet vazhdimisht nga ndërmarrja për të mbajt të hapur këtë aks”.

Vështirësi në qarkullim ka në këto akse Qafë Mali-Fushë Arrëz, Qafë Shllak-Kukës, Pukë-Iballë, Qafë Mali-Fierzë, Bogë-Theth, Shkodër-Dukagjin dhe Tamar-Vermosh. Mjaft komuna mbeten të bllokuara, kryesisht në Pukë përpasoj drejtuesit vendorë kanë kërkuar ndërprerjen e procesit mësimor.

Dedë Pershpali: “Për shkak të rënies borës dhe të terrenit shumë të vështirë, ne menduam që nesër do të jetë shumë e vështirë që shkolla të fillojë normalisht. I kërkojmë Ministrit të Arsimit që nëse është e mundur nesër dhe në një periudhë të pa caktuara të mund të shtyhet fillimi i shkollës”.

E njëjta situatë është dhe në Kukës me komuna të bllokuara dhe vështirësi. Në qarkullim në këtë rreth të kalueshëm vetëm me zinxhir janë akset Kukës-Tiranë, Kukës-Morinë, Krumë-Qafë e Prushit, Krumë-Kukës dhe Krumë-Gjolaj.

Në Tropojë rrugët drejt pjesës më të madhe të komunave janë të bllokuara për shkak të reshjeve të shumta të dëborës, ndërsa probleme ka edhe në segmentet Bajram Curri-Qafë Morinë, Bajram Curri-Fierzë, Bajram Curri-Llugaj dhe Bajram Curri-Margegaj.

Në qarkun e Dibrës gjithashtu janë të bllokuara pjesa më e madhe e komunave për shkak se trashësia e dëborës ka arritur mbi 1 metër rruga kombëtare Peshkopi-Bulqizë-Burrel është e kalueshme vetëm me zinxhir si kundër dhe rrugët Qafë Bualli-Krastë, Qafë e Buallit-Milot.

“Kemi ngel këtu te ura e … ka 4 orë që presim që nga ora 5 e mëngjesit”.

“Jam nis për Itali, kam pre biletën vajtje-ardhje. Ka 3 orë që pres te ura”.

“Jam studente në Fakultetin e Shkencave të Natyrës dhe jap biologji. Nesër fillo mësimi kshu që jemi të detyruar të shkojmë”.

Rrugët që lidhin komunat e Kalasë së Dodës, Selishtës, Zallë Dardhës, Reçit, Lurës, Klenjës, Ostrenit, Derjanit, Macukullit, Lisit dhe Xibrrës janë të bllokuara.

Në qarkun e Lezhës është e detyrueshëm përdorimi i zinxhirëve në akset rrugore Rrëshen-Milot, Rrëshen-Shpal, Milot-Shkopet dhe Zejmen-Balldre. Janë të bllokuara asket kryesore në drejtim të komunave Fan, Orosh, Kurbnesh, Krashnjet, Dajç, Zadrimë, Rrënjë e Zezë dhe Rrënjë e Velës.

Magjun Hajdari: “Kemi bashkëpunum me drejtorin e rrugëve, kemi hudh skorie, nuk kemi pas asnjë problem në këtë segment rrugor”.

Reshjet kanë shkaktuar probleme në sistemet e transmetimit të energjisë të Fierzës dhe Ulzës, për pasojë qyteti i Lezhës dhe një pjesë e rrethit të Kurbinit mbetën 15 orë pa energji.

Por edhe në juglindje moti i ftohtë dhe reshjet e dëborës kanë sjellë gjithashtu jo pak vështirësi në qarkullim. Në qarkun e Korçës automjetet lëvizin vetëm me zinxhir në rrugët Qafë Thanë-Pogradec, Qafë Plloçë-Korçë, Korçë-Qafë Qarri-Ersekë, Korçë-Devoll-Kapshticë.

Elfrida Zefi: “Janë marrë të gjitha masat dhe në të gjitha akset rrugore kemi borë pastruese Korçë-Dogana e Kapshticës janë 2 borëpastruese dhe në aksin rrugorë Korçë-Qafë Thanë janë 3 borëpastruese. Shihet që rruga është.. dominohet, është e hapur, natyra bën të veten. Të gjithë janë në krye të detyrës, mjetet lëvizin me zinxhira”.

Edhe në Elbasani është goditur nga i ftohti dhe nga dëbora, në Qafë Krrabë është i nevojshëm përdorimi i zinxhirëve sikundër dhe në rrugën Elbasan-Librazhd-Prrenjas. Në të gjitha këto akse rrugore të mbuluara nga dëbora apo ngrica, policia ka ngritur shërbimet e saj ndërkohë që drejtoritë e rrugëve dhe shtabet e emergjencave civile punojnë për pastrimin e tyre. Këto shërbime po u ofrojnë asistencë drejtuesve të automjeteve dhe zonave të izoluara. Ndërkohë që policia e shtetit ka lajmëruar se do të bllokojë lëvizjen e automjeteve pa zinxhirë./tvklan.al