Në ditën e dytë të fushatës sensibilizuese “ Pedalo për jetën”, Presidentja e  fondacionit “ Fëmijët Shqiptar”  zonja Liri Berisha, është gjendur pranë fëmijëve me aftësi të kufizuar të qytetit të Korçës. Pasi ka shpërndarë dhurata dhe ka parë nga afër kushtet në qendrën e specializuar të trajtimit të fëmijëve, Zonja Berisha shprehu angazhimin e plotë të fondacionit që ajo drejton për t’i ardhur në ndihmë kësaj kategorie të shoqërisë.

Liri Berisha: “Një shoqëri e zhvilluar mendon edhe e kulturuar është ajo që di t’u japi dorën, di ti mbështesi këta fëmijë. Këta janë fëmijë që me ëndrrat dhe botën e tyre dinë ta shprehin nëpërmjet ngjyrave, nëpërmjet lojërave, nëpërmjet mimikës dinë të japin dashuri të pastër, dashuri të sinqertë të cilën është shumë mirë ta njohin të gjithë”.

Në shenjë solidariteti, zonja Berisha bleu disa punime të fëmijëve, kryesisht piktura dhe punime artizanale të realizuara me ndihmën e kujdestarëve dhe prindërve.

Liri Berisha: “Shikoj një ekspozitë, shiko punime të cilat më impresionojnë dhe po të mos e dija se jam në këtë shkollë. Do mendoja se këto punime, këto piktura, gjithë këto çfarë janë paraqitur këtu do mendoja se janë bërë nga persona dmth që janë me aftësi normale”.

Fondacioni “ Fëmijët Shqiptarë” mori përsipër suportin për një vajzë 3 vjeçare, e cila vuan nga një deformim në zemër. Vajza do të  dërgohet në SHBA, ku do t’i nënshtrohet një operacioni  nga doktorë të specializuar në New York.

Më pas në takimin me nxënësit më të mirë të shkollave 9-vjeçare, zonja Berisha inkurajoi fëmijët e të gjitha grupmoshave se fondacioni që ajo drejton ka në vëmendje edhe promovimin e talenteve. Për nxënësit me rezultatet më të mira, Fondacioni “Fëmijët Shqiptarë” ka dhuruar  50 biçikleta me të cilat ka marrë rrugë maratona “Pedalo për Jetën”./tvklan.al

Gazetare: Daniela Zisi