Shqipëria renditet mes 10 destinacioneve më të mira turistike të verës së 2024-ës në Europë, në një klasifikim të bërë nga Indeksi i Turizmit Veror i sistemit pa vizave “Shengen”. Ky indeks rendit vendet bazuar në 6 kushte duke përfshirë popullaritetin, kostot për një javë, lehtësitë në akomodim, ushqimin, mikpritjen dhe temperaturat që gjejnë turistët e huaj.

Destinacionet renditen në bazë të një rezultati të përgjithshëm dhe për herë të parë pjesë e 10 më të mirave është bërë edhe Shqipëria duke parakaluar vende me traditë në turizëm si Malta, Qipro, Britania e Madhe, Irlanda, Belgjika si dhe një sërë vendesh të Ballkanit dhe Europës Lindore.

Ajo që turistët e huaj kanë vlerësuar më së shumti në Shqipëri janë çmimet që llogariten në 840 Euro në 1 javë duke u renditur në krye 10 të destinacioneve krysore. Një tjetër vlerësim, Shqipëria ka marrë për mikpriten e banorëve, por edhe për motin e favorshëm dhe temperaturat e përballueshme gjatë verës.

Vendi ynë vlerësohet edhe si një prej destinacioneve trend të kësaj vere. Lista kryesohet nga Spanja që ka marrë vlerësimin maksimal të turistëve, e ndjekur nga Italia dhe Greqia. Shqipëria ka pritur në 6 muajt e parë të këtij viti mbi 4.5 milionë turistë dhe synimi është që 2024-a të mbyllet me një rekord në 14 milionë vizitorë.    

Tv Klan