47 vatra zjarri u identifikuan në 24 orët e fundit nga veriu në jug të vendit. Ministria e Mbrojtjes raporton se është bërë e mundur izolimi i plotë ose shuarja për 36 prej tyre, ndërsa 11 vatra vijojnë të mbeten aktive.

E tillë është ajo në Parkun Kombëtar të Prespës në Malin e Thatë ku zjarri vazhdon aktiv, për shkak të terrenit të vështirë. Në Tropojë, janë aktive dy vatra zjarri në zonat pyjore të fshatit Rajë dhe Geghysen, si dhe në fshatin Çeren, ku flakët janë pranë Parkut Kombëtar të Alpeve.

Edhe këtu terreni i thepisur vështirëson ndërhyrjen. Ndërsa në Bulqizë mbetet aktiv zjarri në fshatin Tërnovë. Edhe në fshatin Selixë të Matit mbeten aktive dy vatra që po ndihmohen nga era e fortë. Ndërsa në jug vatrat më problematike janë ato në malin e Pusit në Dropull dhe një tjetër në fshatin Kostar të Finiqit.

Ministria e Mbrojtjes thekson se për momentin nuk ka rrezik për banesat dhe forcat zjarrfikëse po bëjnë të gjitha përpjekjet për mbajtjen e flakëve nën kontroll.

Tv Klan