Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Zona të tëra të vendit janë mbuluar nga uji, pavarësisht se nga qendra operacionale e emergjencave nuk mësohet të ketë përmbytje. Durrësi ka pasur probleme në stacionin e pompave, ku mungesa e energjisë elektrike ka vënë nën alarm personelin për shkak të mosfunksionimit të hidrovoreve.

Ndërkohë nga kapiteneria e portit bëhet e ditur se moti i paqëndrueshëm ka sjellë vështirësi në lundrimin e anijeve të të gjitha tonazheve. Anijet e tonazhit të mesëm dhe ato me tonazh të ulët kanë 5 ditë që nuk kanë dalë në lundrim. Qendra operacionale e emergjencave konfirmon se niveli i ujërave është rritur dhe disa zona në Lezhë dhe Kurbin janë mbuluar nga uji, por pa shkaktuar dëmtime.

Ndërprerja e reshjeve për disa orë ka bërë që ujërat në zonat e quajtura të përmbytura, të kenë kulluar. Por në zonat malore priten probleme nga shtresat e dëborës. Në rrethin e Pukës kanë arritur lartësinë 15 cm, ndërsa në Qafë Mali 30 cm. Ka vështirësi në qarkullim, por ai realizohet me zinxhirë.

“Nuk ka pasur situata emergjente edhe pse ka pasur emergjenc lokale, siç janë më të rrezikuar si zakonisht rajoni i Shkodrës dhe i Lezhës, Durrësi, Fieri, Elbasani, nuk kemi të dhëna për familje apo jetë të humbura.”

Përroi i Zaranikës ka problemin e vazhdueshëm të investimeve. Kryetari i bashkisë së Elbasanit Adrian Turku, ka dhënë alarmin lidhur me pasojat e paparashikueshme që mund të shkaktojë përroi i Zaranikës. Situata meteorologjike parashikon përmirësim të motit deri ditën e martë./tvklan.al

Gazetare: Holta Zhiti