Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Një shpërthim i fuqishëm është dëgjuar mbrëmë në pjesën veriore të Mitrovicës, në zonën e sigurisë të banuar me shumicë shqiptare. Sipas radiove lokale, shpërthimi ka ndodhur në afërsi të banesës së një shqiptari, por nuk ka pasur të plagosur, vetëm dëme të vogla materiale.

Kjo është dita e katërt me radhë, që në pjesën veriore të Mitrovicës ku banojnë shqiptarët, hidhen mjete shpërthyese. Këto shpërthime kanë pasuar incidentin në Gorazhdec, të Pejës, ku u vranë dy të rinj serb, e katër të tjerë u plagosën, ndërsa po laheshin në lum. Situata në Kosovë vazhdon të paraqitet e tensionuar.

Mbrëmë disa persona të armatosur kanë qëlluar me armë automatike, në drejtim të pikës policore të Konçulit, pranë kufirit administrativ me Kosovën. E vetmja pasojë e këtij sulmi të cilësuar terrorist nga qendra informative në Bujanovc është dëmtimi i ndërtesës së doganës.

Shefi i qendrës koordinuese për Kosovën, Nebojsha Çoviç tha se pret, që incidente të tilla do të përsëriten dhe se pas tyre qëndrojnë forcat mbrojtëse të Kosovës, pavarësisht se sulmi është marrë përsipër nga AKSH. Sakaq, zëdhënësi i UNMIK-ut për rajonin e Mitrovicës, Gjergj Kakuk, ka përgënjeshtruar informacionin e të përditshmes blic të Beogradit për atentatin e planifikuar ndaj nënkryetarit të qeverisë së Serbisë Çoviç dhe tha, se policia e UNMIK-ut nuk ka arrestuar asnjë të dyshuar për një vepër të tillë.

Këshilli i Sigurimit të OKB-së pritet të mblidhet të hënën, për të diskutuar në lidhje me situatën e krijuar në Kosovë./tvklan.al

Gazetare – Danjela Kostandini