Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Kreu i socialdemokratëve vetëm pak javë pasi pranoi të marrë pjesë në koalicionin qeverisës, bën një deklaratë që befason të gjithë. Gjatë seancës së jashtëzakonshme të ditë së enjte, ku u diskutua mocioni i mosbesimit për kryeministrin Nano, Skënder Gjinushi deklaron, se dorëheqja e tij do të ishte një zgjidhje në këtë situatë të krijuar pas tragjedisë së 9 Janarit.

Skëndër Gjinushi:- “Për situata të tilla, të ketë mocione mosbesimi, ashtu siç ka dhe anën morale të përgjegjësisë, që ndien çdo funksionar i lartë që kishte në dorë të bënte diçka, e që se ka bërë në shkallën e duhur, që kishte detyrimin t’i përgjigjej situatës dhe se bëri atë, duke filluar nga kryeministri. Në rast se politikisht, votimi i këtij mocioni do të çonte në zgjedhje të parakohshme dhe për pasojë vetëm do të nxiste destabilitetin në tërësi, çka do të rigjallëronte trafiqet e do të shtonte viktimat, dorëheqja do të ishte një zgjedhje dhe një zgjidhje personale me efekte pozitive, për të thënë se politika ka përgjegjësi, ka edhe moral”.

Por duket se deklarata e Gjinushit ka qenë e menduar mirë dhe nuk ka qenë surprizë, për anëtarët e tjerë të partisë që ai drejton.

Gaqo Apostoli:- “Deklarata e Gjinushit ishte në kontekstin moral dhe politik, pra është çështje e kryeministrit, që këtë qëndrim politik, moral ose institucional, ai mund ta zgjidh vetë menjë dorëheqje, por kjo është çështje personale e tij”./tvklan.al

Gazetare – Elja Zotka