Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Pas Ministrisë së Kulturës komsionerët socialistë kanë qenë në Bashkinë e Tiranës, ku pas takimit me nënkryetaren Vali Bizhga, kanë deklaruar se janë vërtetuar deri tani abuzime në periudhën e drejtimit nga demokratët e pushtetit lokal në kryeqytet.

Fatmir Xhafa:- “Nga të dhënat tona paraprake rezulton se do të kemi shumë punë me periudhën që kanë qeverisur demokratët dhe ne nuk e kishim parashikuar, ne psh. sot çuam tre ekspert tani jemi duke menduar se duhet të dyfishojmë ekspertët, se është një volum i jashtëzakonshëm, jo vetëm në tërësinë e dokumenteve, por kam përshtypje edhe në shkelje”.

Ndërkohë demokratët kishin paralajmëruar edhe më parë se nuk do të merrnin pjesë në takim dhe se kërkonin vetëm dokumente.

Sokol Olldashi:- “Asnjë nga përfaqësuesit e opozitës në komisionin hetimor nuk do të paraqitet në ndonjë dasmë, për të cilën Edi Rama ka dërguar ftesë. Në Bashkinë e Tiranës gjatë ditëve të fundit kemi takuar shumë zonja, një më shumë një më pakë, nuk ka ndonjë diferencë të madhe. Nga bashkia ne duam dokumentet”.

Por fotokopjimi i dokumenteve kushton shtrenjtë, siç ka pohuar edhe Bashkia e Tiranës. Autoritetet e saj kanë pohuar se presin një përgjigje nga Kuvendi.

Vali Bizhga:- “Volumi kolosal i dokumenteve, që të dy palët e komisionit hetimor kanë kërkuar t’u vihen në dispozicion, kanë një kosto të papërballueshme financiare dhe kërkojnë një kohë fizike shumë të gjatë. I takon pra anëtarëve të komisionit hetimor, që ta zgjidhin këtë problem”.

Ndërkohë komisioni hetimor ka miratuar ekspertët, por duket se është ende larg nga plani i hetimit pa miratimin e të cilit nuk mund të fillojë zyrtarisht hetimi./tvklan.al

Gazetare – Elona Meço