Ministri i Transporteve të Kosovës Fatmir Limaj së bashku me homologun shqiptar Sokol Olldashi kanë parë nga afër portin e Shëngjinit, i cili do të jetë porta e ardhshme për daljen në Adriatik të Kosovës. Vizita vjen menjëherë pasi kryeministri Berisha shprehu gatishmërinë maksimale për t’i dhënë mundësi Kosovës q të shfrytëzojë këtë port.

Fatmir Limaj: Kjo e ka simbolikën e vet, për Kosovën është porta për daljen në det, në shkëmbimin e mallrave, në zhvillimin ekonomik, në qarkullimin e njerëzve dhe në çdo gjë. Rruga dhe porti  Shëngjinit do të kthehen si pikat e zhvillimit ekonomik të kësaj pjesë të Shqipërisë dhe të Kosovës. Marrëdhëniet mes Kosovës e Shqipërisë po kalojnë një fazë tjetër, në aspektin cilësor dhe në veprime konkrete, në marrëdhënie konkrete të bashkëpunimit ekonomik.”

Sokol Olldashi:Kapacitetet e sotme, porti i Shëngjinit është i limituar, nuk është në standardin e një porti që do t’i përgjigjej trafikut që do të sjellë ajo rrugë, por sigurisht që do të kërkojë apgradim dhe ne kemi vendosur që së bashku të ngremë grupe ekspertësh për të parë mënyrën se si do të rriten kapacitetet e këtij porti për të ju përgjigjur korridorit rrugor nga Kosova.”

Më herët ministrat kanë ndjekur ecurinë  e punimeve në autostradën Rrëshen-Kalimash 61km të gjatë.

Sokol Olldashi: “Konstatoj me kënaqësi që rruga po progreson në termat e parashikuar kohor dhe shpresoj që do të vazhdojë në këto ritme deri në qershor kur do të jetë hapja e saj. Unë jam shuam i lumtur që edhe qeveria e Kosovës dhe ministria e Transporteve do të nisin pjesën e tyre të segmentit dhe ky korridor nuk do të jetë më një korridor nga Durrësi në Morinë po do të jetë një korridor që me përfundimin e pjesëve të Kosovës do të jetë rajonal.”

Fatmir Limaj:Kjo është një arterie, do ta lidhë këtë pjesë të Shqipërisë me Kosovën, arterie e cila do ta ndryshojë rrënjësisht marrëdhëniet për perceptimin, qasjen ekonomike mes Kosovës dhe Shqipërisë.”

Sipas kompanisë Bektel Enka janë kompletuar rreth 86% e punimeve në tunelin e Thirrës 5,5km e gjatë që përbën njëkohësisht edhe veprën më të vështirë infrastrukturore në të gjithë autostradën Durrës-Kukës-Morinë./tvklan.al

Gazetar: Fjorald Zguro

Operator: Klevis Çaka