Lajme Arkiva 2003

Grupi parlamentar socialist është njohur me kërkesën zyrtare të deputetëve demokrat për ngritjen e komisionit hetimor parlamentarë për veprimtarinë e Edi Ramës. Pas dyerve të mbyllura për gazetarët kreu i grupit Gramoz Ruçi, këshilloi komisionerët e ligjeve të japin qëndrimin juridik ndaj kësaj kërkese, ndërsa brenda 5 ditësh socialistët do të marrin vendimin politik për rrëzimin ose pranimin e kërkesës së opozitës.

Deputetët socialist Dedja e Çaçi janë shprehur se kërkesa e deputetëve demokrat nuk bie ndesh me kushtetutën ndërsa hetimi parlamentarë mund të përfshijë kohën kur Edi Rama drejtoi Ministrinë e Kulturës. Autonomia e Pushtetit Lokal është përdorur si kartë nga socialistët për të penguar hetimin parlamentarë të Ramës si kryetar bashkie.

Alternativa që ka dominuar opinionet e socialistëve është kërkesa që opozita ti paraqesë faktet që disponon në prokurori. Kryeparlamentari Pëllumbi është akuzuar nga socialistët për tolerancën e treguar ndaj ndërhyrjeve të Berishës në parlament kundër Edi Ramës ndërkohë që nuk ka dhënë kohën e duhur për replikat e Ulqinit si dhe socialistëve të tjerë.

Bardhyl Agasi: Nga kryetari i grupit zoti Ruçi u theksua që mesa duket ka ardhur kërkesa e opozitës për hetim ndaj zotit Rama dhe u la që do të diskutohej në komisionin e ligjeve sipas rregullave.

Bashkim Fino: Kryetari i grupit Ruçi paraqiti sot se dhe nga ana formale opozita atë që bëri sot show në televizionet tuaja ka ardhur formalisht në kryesinë e grupit dhe është normale që do të diskutohet në komisionin e ligjeve, ku unë jam dhe anëtar i ligjeve dhe është normale që do të diskutohet.

Krahas çështjes Rama deputetët socialist kanë kritikuar ministrat që nuk i kanë ftuar të jenë të pranishëm nëpër analizat vjetore ku është paraqitur shpesh kryeministri Nano./tvklan.al