Lajme Arkiva 2003

Zgjedhjet e parakohshme do të nxjerrin vendin nga kriza aktuale e qeverisë, kryetari i Forumit Rinor Demokrat Sokol Olldashi u shpreh se vendi po mbetet peng i luftës midis socialsitë, për këtë qëllim duhet të krijohet një strukturë tjetër qeverisëse teknike me bazë të gjerë.

Sokol Olldashi: Është e domosdoshme të kalohet në një strukturë  tjetër qeverisëse, e cila mbetet për t’u diskutuar, por fare mirë mund të jetë një qeveri teknike e mbështetur nga një spektër i gjerë politik dhe që do të  paraprijë zgjedhjet parlamentare për rikonfirmimin e mazhorancës qeverisëse.

Nëse zgjedhjet e parakohshme do të përkojnë në të njëjtën kohë me zgjedhjet lokale të tetorit apo pas tyre kjo është çështje që lë vend për diskutim. I pyetur dhe për kandidaturën e Ngjelës si konkurrent për Bashkinë e Tiranës, Olldashi u shpreh se ai është i zgjedhur nga Partia Demokratike, ndërkaq nuk do të mungojë edhe kontributi i forumit rinor Demokrat me qëllim fitoren në zgjedhjet lokale të tetorit.

Sokol Olldashi: Struktura e Forumit Rinor që unë drejtoj ka dhënë mbështetje maksimale për kandidaturën e Ngjelës e cila garanton jo vetëm fitoren e Bashkisë së Tiranës, por në optikën tonë garanton qeverisje të mirë të kryeqytetit. Janë pikërisht këto dy elementë që e bëjnë Ngjelën fitues./tvklan.al