Partia Demokratike llogaritet të jetë forcë e parë politike në zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit 2009 me rreth 49%  të votave të elektoratit. Sondazhi paraprak i dhjetorit të vitit që lamë pas bazohet në 747 anketime të  kryera në të gjithë vendin dhe ofron një panoramë të qartë të predispozicionit të elektoratit për votën drejtuar partive politike.

Qendra Humanistike “Gani Bobi” me seli në Prishtinë e mbështetur nga agjencia amerikane Pension Berlen e specializuar në fushën e sondazheve jep % pasi ka përsëritur 3 herë të njëjtën pyetje: Për cilën parti do të votonit nëse zgjedhjet do të mbaheshin të dielën e ardhshme?

Shkëlzen Maliqi:Partia Demokratike i ka pas rreth 48 deri në 49% të përkrahjes, Partia Socialiste ka një rënie të dukshme, dmth rreth 37%, LSI-ja ka rënie në krahasim me sondazhet e mëhershme, LSI-ja ka dikund deri në 7%, 6.5 deri në 7%. Ndërkaq një vokacion i ri ai … 2.5 deri në 3%.”

Drejtor i qendrës Shkëlzen Maliqi, thotë se marzhi i gabimit llogaritet në kufijtë 2 deri në 4% dhe është më i lartë tek partitë e vogla. Me gjithë diferencën prej gati 12% që ka Partia Demokratike në favor të Partisë Socialiste asnjë nga forcat e mëdha e vetme nuk mund të formojë qeverinë, madje sipas të njëjtin sondazh, as Partia Socialiste bashkë me Lëvizjen Socialiste për Integrim dhe G99 nuk do të mund të kalonin këtë kufi, madje të marra së bashku ato llogariten në kufijtë e 47.3%, një moment që mund të lexohet se koalicionet do të jenë vendimtare për qeverinë e re.

Shkëlzen Maliqi:Blloku i Djathtë edhe në atë deklarimin e parë shihet se është unik në një farë dore, te blloku i Majtë ka një farë jo çarje, po ndarje në dy pjesë.”

“Gani Bobi” ofron dhe një anketim publik mbi qëndrimin ndaj partive politike, Partia Demokratike kryeson me 53.7% pasuar nga Partia Socialiste me 46.3%, në vend të tretë Lëvizja Socialiste për Integrim dhe më pas G99. Në qëndrimin ndaj liderëve dukshëm dallon presidenti Topi me 76.7%, pasuar nga kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama me 53.7% më pas kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli me një diferencë të vogël me kryeministrin Sali Berisha. Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim Meta pozicionohet i pesti dhe më pas ish-kryetari i Partisë Socialiste Fatos Nano.

Por pyetjes se cili nga këta politikan mund të ishte kryeministër më i mirë, të anketuarit i përgjigjen në favor të Edi Ramës me 35.1%, menjëherë më pas me 0.2% më pak renditet kryeministri Berisha dhe vetëm 9.9% janë në favor të Ilir Metës si kryeministër i vendit.

“Gani Bobi” do të ofrojë sondazhe periodike duke filluar që prej fundit të muajit shkurt të këtij viti. Kontrata sikurse në vitin 2005, në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare dhe ato lokale në vitit 2007 është lidhur me televizionin kombëtar Klan. Vlen të përmenden Exit Pollet e sakta që publikoi kjo organizatë për fituesin e zgjedhjeve parlamentare të vitit 2005, para dhe në ditën e mbajtjes së 3 korrikut.

Gani Bobi është kontraktuar nga kompania amerikane të kryejë sondazhe për zgjedhjet në vende të tilla si Afganistan, Maqedoni, Kosovë dhe Bosnje Hercegovinë. Të gjitha sondazhet e ofruara kanë qenë të sakta dhe kanë treguar që në krye të herës fituesin./tvklan.al

Gazetare: Menada Zaimi

Operator: Klodian Keçi