Tina Knowles, nëna e Beyoncé ka ndarë disa kujtime nga fëmijëria e së bijës. Në një intervistë për Vogue, ajo ka kujtuar vitet përpara se vajza e saj të bëhej e famshme dhe ka zbuluar se Beyoncé ishte një fëmijë “shumë i turpshëm”.

“E ngacmonin paksa. Por ditën që mbrojti dikë, nuk mbrojti veten por dikë tjetër dhe po emocionohem teksa flas, s’mund të kisha qenë më krenare për të”.

Tina foli edhe për vajzën e vogël, Solange e cila duket se aktivizmin e kishte thirrje të brendshme që prej një moshe të vogël. “Solange firmoste peticione në shkollë. Ishte në klasën epestë dhe ia dilte të grumbullonte firma, kështu që ka qenë gjithnjë aktiviste”.

Nëna e Beyoncé ndau detaje edhe për anëtaren e Destiny’s Child, Kelly Rowland, e cila u shpërngul  në familjen Knowles qëkur ishte 11 vjeçe.

“Kelly ishte gjithnjë fëmija që përpiqej të mbronte këdo”, tha Tina për Kelly-n, të cilën e ka konsideruar gjithnjë si vajzë. “E mbaj mend me shoqen e saj Barbara dhe ajo ishte një ndërmjetëse, një paqtuese e vogël”.

Në një postim në Instagram ku shpërndau videon e saj, Tina nxiti prindërit që “të vlerësojnë ndryshimet pozitive” mes fëmijëve.

“Të tria vajzat e mia i kanë përballuar gjërat shumë ndryshe. Mësoni karakteret e tyre dhe respektoni individualitetin. Kushtojini vëmendje gjërave me të cilat mund të mburreni për to. Atyre u pëlqen dhe nxit sjelljen e mirë”.

Tina ka dy vajza me ish-burrin, Mathew Knowles me të cilin u martua në vitin 1980.  Ata u ndanë në 2011 pas më shumë se 30 vitesh bashkë. “Vendimi për t’i dhënë fund martesës sonë është me mirëkuptim. Ne mbetemi miq, prindër dhe partnerë biznesi”, thanë ata asokohe në një deklaratë./tvklan.al