Nuk është gjithnjë e lehtë të jesh Beyoncé.

Në një intervistë me GQ Magazine për të promovuar linjën e saj të uiskit, 43-vjeçarja u pyet nëse  reputacioni si “perfeksioniste” është “barrë” për të.

“Unë krijoj me ritmin tim, gjëra që shpresoj se do të prekin njerëz të tjerë. Shpresoj që puna ime t’i inkurajojë njerëzit të shohin brenda vetes dhe të pranojnë krijimtarinë, forcën dhe pathyeshmërinë e tyre. Unë përqendrohem te rrëfimi, rritja dhe cilësia. Nuk jam e fokusuar te përsosmëria. Fokusohem te evolucioni, inovacioni dhe ndërrimi i perceptimit”, tha Beyoncé.

Fituesja e 32 çmimeve Grammy vijoi duke thënë se: “Të punuarit për ‘Cowboy Carter’ dhe publikimi i këtij projekti të ri nuk kishte as ndjesinë e një burgu, as të një barre. Në fakt, unë punoj vetëm për gjëra që më çlirojnë”.

“Është fama ajo që ndonjëherë duket si burg. Ndaj, kur s’më shihni në tapetin e kuq dhe kur zhdukem derisa kam artin tim për të ndarë, kjo është arsyeja”.

Këngëtarja njihet për mënyrën sesi e ruan hermetikisht jetën e saj private, jep shumë pak intervista dhe shfaqet rrallë në tapetin e kuq. Beyoncé i tha GQ se pavarësisht se është një nga njerëzit më të famshëm në botë, përpiqet të bëjë një jetë normale me familjen.

Një nga gjërat për të cilat jam përpjekur shumë është që fëmijët e mi të kenë sa më shumë normalitet dhe privatësi të jetë e mundur, duke u siguruar që jeta ime personale nuk kthehet në një markë”,  tha superylli i muzikës. “Është shumë e lehtë për të famshmit që ta kthejnë jetën në art performativ. Kam bërë përpjekje të jashtëzakonshme për t’u qëndruar kufijve të mi dhe të mbroj veten e familjen time. Asnjë shifër parash s’e paguan paqen time”, shtoi ajo.

Në fillim të intervistës, Beyoncé përshkroi sesi e kalon ditën: “Zakonisht përpiqem të zgjohem në 6 të mëngjesit, punoj një ose dy orë përpara se të zgjohen të vegjlit. Bëj prindin teksa punoj, eci përpara duke përqafuar bukurinë dhe rrëmujën e së gjithës”.

“Shtëpia jonë është e mbushur me të afërm dhe miq, shfaqje spontane  talenti dhe tringëllimën e dominove. Jam përpjekur t’i prkushtohem shëndetit, të pi suplemente dhe të ha pastër. Kam hequr dorë nga mishi, veç gjelit të detit, këtë verë. Po përpiqem të gjej forcën për t’u ushtruar, por thjesht sot s’e bëj dot. Ndoshta nesër”, përfundon ajo.

Beyoncé dhe partneri i saj, Jay-Z kanë tre fëmijë: Blue Ivy, 12 vjeçe dhe binjakët Rumi e Sir, 7 vjeç./tvklan.al