Në  koncertin e fundit në Mynih, Adele njoftoi fansat se do të merrte “një pushim shumë të gjatë” nga muzik, por është treguar e rezervuar për lëvizjet e ardhshme në karrierë.

Burime të Daily Mail kanë zbuluar synimin e radhës të yllit me famë botërore, çka mund të jetë ekrani i madh.

Sipas burimit, 36-vjeçarja po përgatitet të shkëmbejë skenën me ekranin gjatë pushimit të saj. “Adele ka marrë leksione intensive aktrimi nga një trajner i njohur Hollywood-i për rreth një vit. Kur ajo i përkushtohet diçkaje, e bën 100%”, tha burimi.

Këngëtarja “ka udhëzuar” ekipin e saj që “të përhapë fjalën” në studiot e mëdha filmike dhe te producentët për përgatitjen e saj e madje tashmë janë në bisedime për disa projekte për të.

“Një burim i konsoliduar në Hollywood ka këshilluar që nëse s’e ka bërë ende, ajo duhet të marrë leksione për dialektin pasi theksi i saj natyral i Cockney do të kufizojë shumë rolet e saj”, shtoi burimi.

Një burim tjetër deklaroi se Adele do t’u rikthehet gradualisht koncerteve dhe muzikës, madje kur ta bëjë, “do ta marrin vesh të gjithë”. “Ka pasur fjalë se rikthimi mund të ndodhë me një performancë në Super Bowl”.

Nuk është  hera e parë që Adele ka shprehur dëshirën për të provuar veten në aktrim. Në dhjetor 2023, në një intervistë me The Hollywood Reporter, ajo tha se ka një film që dëshiron ta bëjë por skenaristi s’është “gati mendërisht” për të shkruar skenarin./tvklan.al