Shqipëria do të luajë sot ndeshjen e parë të Ligës së Kombeve ndaj Ukrainës në Pragë për shkak të luftës. Kuqezinjtë të cilët kanë mungesa të rëndësishme si kapiteni Berat Gjimshiti duan ta nisin mbarë këtë garë. Trajneri Sylvinho u përpoq të mos zbulonte lojtarët të cilët mund ta nisin nga minuta e parë, por pritet që titullar të jetë Kumbulla në vend të Gjimshitit. Shokë reparti mendohet të jenë Ismajli, Hysaj dhe Mitaj. Në portë do të jetë Strakosha.

Në mesfushë parashikohen Laçi, Ramadani e Asllani, ndërsa sulmuesin kryesor Manajn mendohet ta mbështesin në krahë Asani dhe Bajrami. Problemet me lojtarët i ka komentuar edhe Sylvinho në konferencën e djeshme.

“Në Varshavë kemi pasur të njëjtën situatë, duke qenë se ishim pa Ismajlin dhe Gjimshitin. Tani jemi pa Ajetin dhe Gjimshitin, por kemi lojtarë të tjerë që mund të përshtaten. Kombëtarja është e hapur, një mundësi për të gjithë, të zbresim në fushë dhe të bëjmë më të mirën”.

Përballja me Ukrainën që do të jetë e shtata do të nisë në orën 20:45 në Tv Klan nën komentin e Alban Xhihanit. Kuqezinjtë nuk e kanë mundur ndonjëherë përfaqësuesen ukrainase ku rezultati më i mirë është barazimi 2-2 para 19 vitesh në Tiranë.

Tv Klan