Akuzohen për shpërdorim detyre e falsifikim dokumentesh

Prokuroria e Posaçme raportohet se ka firmosur urdhërarrest për ish-kryebashkiakun e Durrësit, Vangjush Dako dhe disa ish-zyrtarë të Bashkisë së Durrësit. Pak kohë pas daljes së urdhërarrestit, Vangjush Dako u vetëdorëzua në Drejtorinë e Policisë së Tiranës.

Lajmi bëhet i ditur nga gazetarja e Klan News, Glidona Daci. Sipas kësaj të fundit personat në fjalë akuzohen për shpërdorim detyre dhe falsifikim dokumentesh, për një leje ndërtimi të dhënë para 11 viteve. Gazetarja thotë se në total bëhet fjalë për 10 urdhërarreste që janë firmosur nga gjykata, 7 arrest me burg dhe 3 arrest në shtëpi.

Në mesin e të arrestuarve gazetarja Daci mëson se janë edhe Adhurim Qehajaj, ish-drejtor i Urbanistikës, dhe Lira Kërtusha, juriste pranë Urbanistikës. Po ashtu urdhërarreste janë lëshuar për; Adi Limeta, Roza Kovaçi, Edlira Kertusha, Adnand Tocila, Fiqir Farruku (ndërtues).

Sa i përket Dakos, gazetarja thotë se ai akuzohet për shpërdorim detyre në dy raste. Rasti i parë lidhet me lejen e ndërtimit të një pallati në Durrës. Sipas Dacit, leja e parë e ndërtimit është dhënë në vitin 2012 dhe është zbardhur me dy vite vonesë, në 2014, që i është dhënë edhe një leje e dytë. Punimet për ndërtimin e objektit kanë nisur përpara se të zbardhej leja. Janë 4 kate shtesë të cilat janë jashtë lejes.

Rasti i dytë lidhet me një tender për blerje projekti të bërë nga Bashkia Durrës në vitin 2014-2015 me vlerë fillestare 20 milion lekë dhe më pas është dyfishuar në 220 milion lekë të vjetra. Në rastin konkret SPAK e akuzon Dakon për shpërdorim detyre pasi nuk i kanë hyrë procedurës së prokurimit, por bashkia ka 10 fishuar vlerën.

Sa i takon lejes së ndërtimit të pallatit, hetimet për rastin nisën rreth 1 vit më parë pas një denoncimi që bënë banorët e këtij objekti.

“Duhet theksuar se sa i përket ish-kryebashkiakut të Durrësit nga ana e SPAK ai akuzohet dy herë për veprën penale për shpërdorim të detyrës, falsifikimit të dokumenteve. Kemi të bëjmë për një leje ndërtimi të dhënë jo konform ligjit dhe rregullave në fuqi në vitin 2012, për ndërtimin e një pallati në qendër të Durrësit. Gjatë ndërtimit të këtij objekti nga e biznesmenit i cili po kryente ndërtimin nuk u vendosën banderolat dhe njoftimet përkatëse që është një detyrim ligjor nga ana e subjektit, ku informon qytetarët apo strukturat e policisë që kanë për detyrë të mbikëqyrin ndërtimet objekteve. Ai nuk ka vendosur informacionet e duhura, sa është kohëzgjatja e punimeve, sa është kostoja e ndërtimit dhe sesa kate do të ishte objekti në total. Gjithashtu nga ana tjetër ky objekt është dëmtuar edhe në vitin 2019, gjatë tërmetit të 26 Nëntorit. Gjithashtu, mbi lejen e ndërtimit që ishte dhënë në 2012-n janë bërë edhe 4 kate të tjera pa leje, të cilat më pas janë legalizuar në mënyrë fiktive, dyshohet nga SPAK, dhe për këtë arsye, ndaj dyshohet se nga ana e Dakos ndërtimi i këtij objekti është dhënë jo konform ligjeve dhe rregullave në fuqi. Për këtë arsye SPAK ka nisur hetimet rreth 1 vit më parë pas kallëzimeve të bëra nga disa banorë në qytetin e Durrësit duke qenë se objekti u dëmtua dhe nuk mundi dot që të bëhej edhe për shkak të ndërtimit dhe vlerës, qytetarët menduan se duhet të niste një hetim dhe mbi mënyrën sesi ishte dhënë leja për ndërtimin e këtij objekti”, tha gazetarja Glidona Daci në një lidhje live në Klan News.

Kallëzimi i banorëve nga ku nisën hetimet e SPAK

“Në këtë çështje janë të përfshirë edhe zyrtarë të Urbanistikës dhe ish-zyrtarë që kanë pasur për detyrë të mbikëqyrnin punimet, të kontrollonin dokumentacionin dhe të shikonin të gjithë procedurën dhe ecurinë e punimeve që po kryheshin nga ana e biznesmenit që kishte marrë lejen në Bashkinë e Durrësit”, shtoi gazetarja.

Daci solli në vëmendje se pak kohë më parë Vangjush Dako është pyetur nga dy prokurorë të SPAK për këtë çështje.

Vangjush Dako e drejtoi Bashkinë e Durrësit për 3 mandate deri në vitin 2019. Po në vitin 2019, Dako dhe familjarët e tij iu shtuan listës së zyrtarëve shqiptarë që nuk lejohen të hyjnë në territorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (Lexo më shumë).

DASH njoftoi asokohe se Sekretari i Shtetit e vendosi kryebashkiakun e Durrësit dhe familjarët e tij të afërt në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara, për shkak të përfshirjes së Dakos në raste të mëdha korrupsioni.

Emri i Dakos është lakuar edhe në përgjimet e publikuara nga gazeta gjermane “Bild” si i përshirë në blerjen e votave në Durrës. Edhe për këtë çështje ai u mor në pyetje asokohe nga Prokuroria e Krimeve të Rënda./tvklan.al