Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Spartak Ngjela:- “Unë e kam thënë edhe herë tjetër, shikoheni sa mirë ka punuar individi. Ja ku e keni vilën, ndërtesën. Kjo është zona, shteti s’ka bërë asgjë. Pra raporti midis bashkisë dhe individit është katastrofik. Individi është më përpara në treg, në koncept, në urbanizëm, se sa bashkia aktuale e Tiranës. Kjo është arsyeja pse kam ardhur këtu, s’kanë ujë, s’kanë shkolla, s’kanë kanalizime, atëherë përse i kërkon votat një kryetar bashkie? Jam i bindur për të zgjidhur këto”.

Këto kanë qenë premtimet e kandidatit demokrat Ngjela të bëra përpara banorëve dhe simpatizantëve të tij në një lagje të re të ndërtuar në zonën e Kombinatit të Drurit “Misto Mame”. Në turin e tij të ditës së sotme nëpër zonën e Kombinatit, Ngjela ka biseduar dhe dëgjuar banorët e kësaj zone të cilët kanë shprehur shqetësimet që ata kanë aty ky jetojnë.

Ndërsa në orët e pasdites Ngjela ka zhvilluar një takim me gra të profesioneve të ndryshme dhe simpatizantët e PD. Gjatë takimit zhvilluar në hotel Tirana, zoti Ngjela ka thënë, se ai në krye të bashkisë së bashku me këto gra do të bëjnë shumë për Tiranën./tvklan.al