Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Kandidati demokrat për kryetar bashkie Spartak Ngjela, ka vijuar fushatën e tij për fitoren e Tiranës në një nga night club-et e kryeqytetit. Ngjela së bashku me stafin e tij rinor ka preferuar t’i kalojë këtu orët e mbrëmjes, duke përfituar t’i bëjë premtime entuziaste për të rinjtë e pranishëm.

Spartak Ngjela:- “Do t’u heq tollonin e arsimit të lartë dhe tollonin e ujit. Të dyja, këta që ju kanë drejtuar deri tani në këto momente, dinë të drejtojnë vetëm me tollona, nuk do keni tollona më”.

Ndërsa në orët e para të ditës, Spartak Ngjela është takuar me të persekutuarit politik. Prej tyre kandidati demokrat në garën e 12 Tetorit ka marrë premtimin, se pavarësisht ndasive në shoqata të ndryshme, të gjithë të përndjekurit do të votojnë për Ngjelën.

Spartak Ngjela:- “Unë i ftova, sepse veç e veç, e kishin dhënë mbështetjen, këtu i ftova që të gjithë në formë miqësore dhe ata e shprehën mbështetjen e tyre, në lidhje me kandidimin tim për kryebashkiak të Tiranës”.

Gazetarja:- “Duke pasur parasysh nëse ju do të jeni kryetar bashkie, çfarë u premton të përndjekurve politikë për statusin e tyre?

Spartak Ngjela:- “Jo, unë jam kryetar bashkie, kryetari i bashkisë i ka të gjithë qytetarët njëlloj dhe ata janë koshient sa e dinë shumë mirë këtë. Ata erdhën për të më mbështetur në funksion politik të votës, pra mbështetjen time për votën, kurse përsa u përket atyre të tjerave çfarë do të përfitojnë pasi të jem unë kryetar bashkie, ashtu sikurse të gjithë qytetarët. Ata kanë besim që unë do ta zhvillojë qytetin, ata kanë besim që unë do ta zbusë papunësinë, do ta zbusë varfërinë dhe bashkë me gjithë qytetarët do të përfitojnë me gjithë të tjerët”.

Gjate paradites së tij elektroale Ngjela ka vizituar dhe tregun “5 Maji”./tvklan.al