Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Beogradi mikpritës i samitit të vendeve të Europës Juglindore ishte një qytet në rrethim. Gjendja e jashtëzakonshme e vendosur menjëherë pas vrasjes së kryeministrit Zoran Xhinxhiç, kishte sjellë kontrolle të mëdha në qytet dhe rrethina. Megjithëse në dukje normale, kryeqyteti serb, ende vuante tronditjen e shkaktuar nga atentati i bujshëm.

Burime zyrtare flisnin për mbi 2500 të arrestuar, ndërkohë që pak ditë më parë ish-zëvendës shefi i shërbimeve sekrete, tashmë nën pranga, Jovanoviç kishte pranuar, se kishte urdhëruar vrasjen e kryeministrit të moderuar. Vrasja e Xhinxhiç tronditi dhe rajonin, ndaj dhe pjesëmarrja në takimin e vendeve të Europës Juglindore nga ana e Prodit dhe Simitisit u pa edhe si një shenjë solidariteti për autoritetet serbe.

Kryeministri i ri Zhivkoviç, një ish-polic, shihej pozitivisht si dora e fortë dhe njeriu që po përgatiste tranzicionin drejt zgjedhjeve të parakohshme në vend. Ndërkohë nga analistë vendas, postimi nga posti i kryeministrit i Nebojsha Çoviç, shihej si diçka pozitive, duke pasur parasysh dhe qëndrimet e tij më pak fleksibël ndaj çështjeve delikate si psh. ajo e Kosovës. Ndaj dhe prania e Moisiut dhe e Metës në Beograd, e para nga autoritetet shqiptare, pas vrasjes së Xhinxhiç, ishte në një farë mënyre edhe kërkim i përgjigjeve mbi qëndrimin e Beogradit, ndaj marrëdhënies së re me Tiranën, e cila u la përgjysmë nga kryeministri i vrarë.

Gjithashtu, vizita në Beograd pasonte dhe deklaratën ë zv/kryeministrit serb Çoviç, se avancimi i çështjes së statusit dhe pavarësisë eventuale të Kosovës, po afronte rrezikshëm një konflikt të ri të armatosur në rajon. Deklarata e Çoviç u prek edhe në takimin që presidenti Moisiu pati me presidentin Zveto Maroviç, presidenti i federatës Serbi-Mal i Zi. Sipas burimeve në takim, zoti Moisiu ka shprehur habinë e një deklarate të tillë, e bërë pikërisht në momentin, kur pas vrasjes së Xhinxhiç, marrëdhëniet mes Tiranës dhe Beogradit dhe Beogradit e Prishtinës kërkonin riafirmim. Vetë presidenti Moisiu në një lëvizje të guximshme diplomatike pranoi se e kishte diskutuar deklaratën e Çoviç me presidentin Maroviç.

Presidenti Alfred Moisiu:- “Përsa i përket deklaratave të cilat sapo thashë, unë nuk i përmenda me emër se kush e bëri deklaratën, presidenti Maroviç ra dakord me mua, që ka ikur koha e kërcënimeve dhe këto probleme do të zgjidhen në radhë të parë me pëlqimin e qytetarëve që banojnë në Kosovë dhe duke biseduar Prishtina-Tirana dhe Beogradi”.

Burime në takim thanë, se presidenti Maroviç, jo vetëm ka afirmuar këtë marrëdhënie, por edhe ka ftuar Tiranën, që t’ë jetë më e afërt dhe më aktive në dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës, lidhur me statusin e Kosovës. Ndërkohë edhe Ministri i Jashtëm Ilir Meta, një ditë më pas, në një lëvizje xhentëllmenësh deklaroi që Tirana nuk kishte lëvizur nga qëndrimi i saj se e ardhmja e statusit të Kosovës, duhet bërë vetëm përmes negociatave dhe përmes organizma ve të tillë ndërkombëtarë si OKB.

Ilir Meta:- “Ne kemi theksuar, se parësore, në përcaktimin e statusit final të Kosovës, duhet të jetë e drejta e të gjithë qytetarëve të Kosovës, pa dallim etnik, për t’u shprehur për të ardhmen e saj dhe se kjo shprehje e vullnetit të tyre, duhet të bëhet në bashkëpunim të ngushtë me komunitetin ndërkombëtar. Sa i takon qëndrimit të Beogradit, duket se edhe udhëheqja e re atje, synon hapjen e një dialogu, sa më të shpejtë, për zgjidhjen e çështjes së statusit të Kosovës, megjithatë, kjo është një çështje e cila kërkon kohën e saj”./tvklan.al

Gazetar – Sokol Balla