Bashkëpunimi me Kosovën mbetet prioritet për Shqipërinë ka konfirmuar kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali, gjatë një vizite në Kosovë. Ajo fillimisht u prit nga kryeparlamentari Glauk Konjufca.

“Kosova është prioritet kombëtar i Shqipërisë. Për Shqipërinë e Kosovën bashkëpunimi është prioritet i pandashëm, është binom stabilizues e orientues për të nesërmen tonë dhe të gjithë rajonit. Ne kemi biseduar që si kryetarë të parlamenteve t’u sugjerojmë qeverive konkretizim më të detajuar të partneritetit strategjik gjithëpërfshirës, duke e bërë atë model inkurajues për bashkëpunim rajonal ndërshqiptar e më gjerë”, tha Spiropali.

Mohuan se ka ngrirje të raporteve ndërmjet dy vendeve. Duke folur për dialogun Kosovë Serbi Spiropali e sheh të domosdoshëm nënshkrimin e një marrëveshjeje të detyrueshme ligjore që mundëson njohjen e ndërsjellë.

“Dialogu Kosovë-Serbi në koordinim të plotë me partnerët tanë strategjik SHBA-në e BE-në, duhet të ketë medoemos si rezultat nënshkrimin e një marrëveshjeje të detyrueshme ligjërisht që mundëson njohjen e ndërsjellë, anëtarësimin e Kosovës në OKB e BE, si dhe trajtimin e drejtë të minoriteteve konform kushtetutës. Është proces i gjatë por herët a vonë në fund të tunelit do të ketë medoemos një dritë, që do të dëshmojë realitetin e pakthyeshëm gjeopolitik, republikën më të re evropiane të Kosovës”, u shpreh Spiropali.

Ajo e ka dënuar sulmin terrorist në Banjskë, e po ashtu sulmet në veri ndaj KFOR-it e gazetarëve duke thënë se autorët duhet të dalin para drejtësisë. Spiropali ka zhvilluar takim edhe me kryeministrin Albin Kurti. 

Tv Klan