Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik miratoi projektligjin që propozon shpalljen e 2 Marsit, Besëlidhjen e Lezhës si festë zyrtare. Kjo erdhi pas propozimit te deputetit socialist Eduart Ndreca i cili u shpreh se kjo ngjarje historike lidhet me identitetin kombëtar shqiptar.

Eduard Ndreca, deputet i PS: Shpallja festë zyrtare dhe ditë pushimi e kësaj ngjarje historike do të ndihmojë në mbrojtjen dhe forcimin e mëtejshëm të identitetit tonë kombëtar. Gjithashtu do të nxisë dhe studiuesit e fushës së historisë shqiptare dhe të huaj, për të vijuar me hulumtime të mëtejshme në lidhje me këtë ngjarje në veçanti dhe për të gjithë epokën e Gjergj Kastriot Skënderbeut. Po ashtu do të nxisë zhvillimin e aktiviteteve kulturore jo vetëm në Lezhë që patjetër do të mbetet kryeqendra, por dhe në Tiranë dhe në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë dhe jashtë saj, si në Kosovë në viset shqiptare në Maqedoninë e Veriut, në Malin e Zi, në Serbi kryesisht në Preshevë, Bujanoc, në Greqi dhe në të gjithë diasporën shqiptare.

Pas dakordësisë unanime ne Komision, pritet edhe votimi ne Parlament për shpalljen e Besëlidhjes se Lezhës si feste zyrtare.

Më 2 Mars 1444 në Katedralen e Shënkollit, në Lezhë ku sot gjendet edhe memoriali i Gjergj Kastriot Skënderbeut, u mbajt Besëlidhja e Lezhës, një nga ngjarjet më të rëndësishme të historisë së popullit shqiptar.

Në këtë datë historike Gjergj Kastrioti Skënderbeu mblodhi në një Kuvend të gjitha principatat shqiptare, me qëllim përballimin e sulmeve otomane.

Klan News